Poezi nga Natasha Sarxhoska

07 gusht 2020 | 11:39

NATASHA SARXHOSKA

Hartografia e zjarrit

për askund nuk jemi
askund nuk shkojmë
nga askund nuk vijmë
në peronë jemi vizatime
lëshojmë frymë në daljet e aeroporteve
dëgjojmë biseda të shurdhëta në autostrada
i ngulim sytë në dritaret e metrove të ndaluara
vonohen trenat e heshtjes
zhvendosen fluturimet
shtyhen ditët

vlon vera në buzët e egërsuara
anëve të mendjes sonë
sytë vranësira të ngrira
fytet tanë kodrina të ënjtura në shkretëtirë
stepat na lulëzojnë nëpër gjuhë
xhungël në organe dhe humnerë në kraharor
shenja zjarri jemi nën shi
nën qiellin e kristaltë që s’mbulon asnjë vend
zhytemi pas hijeve tona shputë në rërën e gjallë
veladonë purpuri të grisura nga refugjatë pa gjurmë
jemi skeptër të lënë nga mbretërit
thonj dhe dhëmbë dhe sy të nxjerrë nga historia
të humbur në shtresat e lëkurës sonë
harta të grisura në gjunjët tanë
mallëngjime që kafshojnë shkëmbinj e bregdete
skajeve së qelizës së dëshirës sonë të zjarrtë
brigjeve të kombeve të vdekura

digjemi vetëm për atë çast
kur e di
kur e di
hero humbës je ti
i kthen shpinën erës lindore
ecë nëpër kufirin e lirisë
dhe shkon
s’je më përbindësh
as persekutim
s’do të bëhesh
për mua
terra incognita


 
pa shtëpi

jetoj në hapësira të huaja
midis njerëzve të panjohur lëvizi trupin
njerëz që nuk e vërejnë ekzistencën time
por vetëm hijet e mia

pasaportë e konfiskuar jam
në raftet e recepcioneve hotelerie
më shmangin sinjalet e humbura
në eterin e radiostacioneve

paraqitem nga telefonat publike
kërkoj zërin e babait tim
gurgullon në jehonën e largësisë
na ndan vetëm xhami i ngjitur me frymëmarrje

kam shumë emra
kam shumë kombësi
por vetëm ky trup më takon
edhe pse prej tij ndahem

për t’u kthyer te vetja
te babai
në shtëpinë time
që nuk ekziston
(që nuk ka ekzistuar asnjëherë)
në një emër që s’e ka
pos asaj që ju ma imponuat:

e farkuar nga palca
e eshtrave të mia të thyera

babait i besova

të shoh se si vrapon dhe zvarrit
sajën me qeshjen time buçitëse
më shkon dhe me buzëqesh
fëmijë jam dhe ma mëson notin
nëpër stuhitë e acarta
nëpër rrjedhat e shpejta

ke veshur pallto të errët babai im krenar
të përkulen edhe erërat
dhe stuhitë ta hapin rrugën
edhe lumenjtë heshtin

nuk e dija se ku do të më çoje
por të kam besuar
lundron tani nëpër rajonet e akullta
dje askujt nuk i besoj

atëherë graviteti asgjë s’mundi të të bëjë
lart drejt qiellit të tërhiqte
dhe tani shikoj poshtë
si të tërheq të pamposhtur

dhe të pakthyeshëm

mprehje kohe

sa mund të lakohet teposhtë
trupi i njeriut
a është krah apo
verbëri e zbehtë

nuk e di kur dhe ku
do të shkulen thonjtë e mi
në sallë operacioni
ultra rrezet jehojnë në kokën time
jam mbështjellë me mëndafsh blu
më kujtohen të gjitha bisedat
kur pata heshtur për të mos mbajtur mëri
kur pështyja gur për t’u pastruar nga bota

tani pështyj mbi vete
për të të lindur
për të të shkrirë
për të mos u djegur

jam e bija e Ikarit
nga lart më fton zjarri
fraktura e erës
flamur i bardhë që valon
jam mbi anijen që fundoset

je i shtypur në thonjtë e mi
mbulesat e lëkurës sate s’do t’i tradhtoj
në mua ndizen flakët e zjarrit blu
jam e bija e dragonjve të zhdukur
kafshoj eshtra dhe skaliti gur
pastaj i mpreh
për të të zhveshur ty

e rrethuar nga bota me mur të gjallë
e shkulur nga prejardhja
me shpejtësi të dritës

e mundi kohën


muri i zemrës

venat e mia janë granata
të shtypura dhe të ënjtura
me gjakun e derdhur

i hëngra të gjitha anët e botës
për rininë e amshuar në vorbull
thashë të kërcej pingul

i mora të gjitha injeksionet me plazmë
menjëherë i hapa të gjitha hartat
dhe prej tyre mugulluan fletët

trokita para barkusheve
që ndajnë oksigjenin nga valvulet
i ndava qelizat e llojit tim
dhe e shikova vetëm në hije
atë mish të gjallë
atë muskul sfidues

por nuk e futa
në shqetësimin tim


(Përktheu nga maqedonishtja: Shkëlzen Halimi)

Shënime për autoren

Natasha Sarxhoska, poete, antropologe, përkthyese, gazetare, valltare (e tangos), ka lindur më 16. 11. 1979 në Shkup. Ka diplomuar në Fakultetin e Filologjisë në Shkup, kurse ka doktoruar për antropologji. Pos në Shkup, ka studiuar edhe në universitetin e Tibingenit, Parisit, Bergamos dhe Lisbonës. Ka ligjëruar edhe në Universitetin e Evropës Jug-lindore (në Tetovë). Është autore e pesë vëllimeve me poezi, ndërkaq krijimet e saj janë përkthyer në shumë gjuhë dhe janë përfshirë në disa antologji. Ka përkthyer vepra të shumë autorëve të shquar: si Pasolini, Saramago, Pesoa, Karduçi, Bufalino etj. Ka jetuar në shumë qytete evropiane, si në: Paris, Milano, Lisbonë, Bruksel, Shtutgart. Merret edhe me fotografi dhe pikturë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NATASHA SARXHOSKA Hartografia e zjarrit për askund nuk jemi askund…