
Poezia dhe liria : (shënime dhe përsiatje)
AGIM VINCA
Tema “Poezia dhe liria” është e gjerë, shumë e gjerë dhe, si e tillë, mund të shihet prej aspektesh të ndryshme.
Unë do të përpiqem ta shoh nga pikëpamja e vendit që zë ajo në letërsinë shqipe, veçanërisht në poezi, kryesisht nëpërmjet shembujve.
Mirëpo, para se të merremi konkretisht me këtë temë, le të shohim ç’mendojnë disa nga mendjet e ndritura të kohës sonë, filozofë, sociologë, antropologë e të tjerë, lidhur me lirinë si nocion.
A mund të përkufizohet liria?
Ç’është liria? A mund të përkufizohet ajo?
Filozofi dhe sociologu britanik me origjinë polake, Zygmunt Bauman, thotë se liria, në njëfarë mënyre, është si ajri që thithim. Nuk bëjmë pyetjen se ç’është ky ajër, nuk harxhojmë kohë që ta shqyrtojmë, që të diskutojmë rreth tij, që të mendojmë për të. Sigurisht, përveçse po të jemi në një sallë të tejmbushur dhe me ventilim të keq, ku na merret fryma.[1]
Liria është pa dyshim vlera më e madhe e jetës njerëzore, pa të cilën nuk ka jetë, ashtu siç nuk ka jetë pa ajër. Vetëm në liri njeriu realizohet i plotë.
Mirëpo, Baumani, më shumë se si vlerë universale, lirinë e sheh si “fakt social”. Identiteti i njeriut si individ i lirë përftohet nga shoqëria. “Individi i lirë, nënvizon Baumani, nuk përbën aspak një gjendje universale të njerëzimit, porse është një krijim historik dhe social”.[2]
Edhe filozofi Karl Poper, themelues i teorisë mbi “shoqërinë e hapur” (open society), term që para tij e përdori Anri Bergsoni (“societé ouverte”, 1932), konsideron se liria politike është parakusht për lirinë e çdo individi. Teorinë e Poperit e karakterizon qëndrimi kritik ndaj traditës, ndaj shoqërisë së mbyllur tribale, në njërën anë, por edhe ndaj totalitarizmit kolektivist, në tjetrën dhe angazhimi për zhvillim ekonomik, që garanton mirëqenie dhe për sistem demokratik, që bën të mundur tranzicionin paqësor të pushtetit.[3]
Një studiues tjetër, Isaja Berlini, në librin e tij Idetë filozofike të shekullit XX, dallon dy lloje të lirisë: “lirinë pozitive” dhe “lirinë negative”. E para nënkupton “të qenët zot i vetvetes”, kurse e dyta, “liria negative”, absolutizimin e lirisë si veprim i rrezikshëm për shoqërinë. Marksi dhe Engelsi u nisën nga premisa e lirisë së pakufizuar, por pasardhësit e tyre, Lenini me shokë, përfunduan te despotizmi i pakufi.[4] Duke iu referuar një parabole të lashtë, sër Berlini shkruan: “Liria për ujqit ka qenë shpeshherë vdekje për dhentë”, figurë që del edhe te poema Populli, po (The People, Yes) e poetit amerikan Karl Sandberg (Carl Sandburg), e botuar në vitin 1936: “Delja dhe ujku nuk janë pajtuar në përcaktimin e fjalës liri!”.[5]
Sartri, nga ana e tij, thekson se njeriu është i dënuar të jetë i lirë, sepse me vetë ardhjen e tij në botë bëhet përgjegjës për atë që bën. Sipas Sartrit, individ i maturuar është ai që arrin ta mbajë peshën e përgjegjësisë në shoqëri, por edhe atë të vetmisë në univers, në një botë pa Zot, si thuhet në trajtesën e tij të mirënjohur Ekzistencializmi është humanizëm.[6]
Këto janë disa piketime për lirinë si ide dhe si vlerë në mesin e qindra të tjerave.
Letërsia shqipe dhe obsesioni i lirisë
Dhe tani të shohim si shfaqet koncepti i lirisë në letrat shqipe, më saktë në krijimtarinë letrare dhe poetike.
Mendimtari Sami Frashëri thotë: “Po të mos kishte robëri në botë, as që do të dihej emri i lirisë”, ndërsa polemisti Faik Konica e përkufizon lirinë si vijon: “Ç’është liria? Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; të thotë ç’i do zemra; 2. të shkruanjë ç’i do zemra; 3. të bënj ç’i do zemra, veç ato që janë kundër lirisë së tjetër njeriu”.
Ky mendim i Konicës, i shqiptuar në vitin 1897, përkon me mendimin e sociologut amerikan Lesli Lipson, i cili thotë: “Liria ime për të lëvizur dorën përfundon aty ku fillon hunda e ndokujt”, në kuptimin “e tjetrit” (me “T” të madhe). Të shtojmë se kategoria e “Tjetrit” dhe e “tjetërsisë” është kategori fondamentale e mendimit modern, me të cilën merret një disiplinë e veçantë e kohës sonë, që quhet imagologji.[7]
Mendimet e mësipërme fokusohen më shumë te liria individuale që, s’do mend, është shumë e rëndësishme, por shkrimtarët shqiptarë, për shkak të rrethanave historike, flasin e shkruajnë më shumë për lirinë kombëtare. De Rada, Naimi, Fishta, tre poetë të rendit të parë, siç konsiderohen gati njëzëri në historinë e letërsisë shqipe,[8] këtë kanë bërë. “Doemos do vdesim në shtrat, në mos rënçim në prag të shtëpive tona”, thotë autori i Milosaos. “Jakë, o ditë e uruar”, krijuesi i Luleve të verës; “Surgite mortui!” (Çohi të vdekun!), frati i Mrizit të Zanavet. Edhe Çajupi, Mjeda, Asdreni e të tjerë do ta vazhdojnë, kush më shumë e kush më pak, rrugën e tyre, duke i edukuar edhe lexuesit me këtë shije.
Nga Barleti gjer te Kadareja…
Duke qenë letërsi e një populli të robëruar e të ndarë, ëndrra për liri dhe bashkim kombëtar ka qenë dhe vazhdon të jetë obsesion i shkrimtarëve shqiptarë. Po qe se ndalemi te dy pika të skajshme, por kulmore, që shënojnë dy epoka, do të mund të thoshim se ky obsesion shpërfaqet nga Barleti gjer te Kadareja. Te Historia e Skënderbeut e Barletit, e cila sa histori, është edhe poezi, kur flitet për kthimin e Skënderbeut në Krujë (më 28 nëntor 1443), biografi dhe bashkëkohësi i heroit, Marin Barleti, i vë në gojë fjalët: “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta në mesin tuaj… E pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja… Armët nuk jua solla unë, por ju gjeta të armatosur”. [9]
Kthimi i Skënderbeut në Krujë është fakt historik, por citati i mësipërm është edhe tekst letrar.
Kadareja te romani Kështjella (1970), që trajton temën e rezistencës shqiptare në shek. XV, shkruan: “Koha na vuri përpara dy rrugë: rrugën e lehtë të nënshtrimit dhe rrugën e rëndë të luftës. Ne zgjodhëm të dytën. Ne mund të zgjidhnim të parën (…) dhe t’i ngrysnim ditët tona në paqe, pranë parmendës dhe ullinjve, por kjo do të ishte paqja e vdekjes”.[10]
Askund nuk tingëllon më fuqishëm se këtu tek jemi, në Drenicë, në Skenderaj e Prekaz, ky paragraf.[11] “Koha vuri para nesh dy rrugë…”. Pesë shekuj më vonë Adem Jashari me shokë u gjendën para të njëjtës alternativë: luftë a nënshtrim dhe pa as më të voglin hezitim zgjodhën të dytën: luftën për liri.
De Rada, Dara i Ri, Serembe, Skiroi dhe një varg poetësh të tjerë arbëreshë, i kënduan “Motit të Madh”, si e quanin ata kohën e Skënderbeut, me “Kryetrimin” si simbol i luftës për liri e dinjitet kombëtar, që duhej ndjekur si shembull edhe në periudhën e Rilindjes Kombëtare.
Noli dhe Konica, si krijues dhe intelektualë me botëkuptim kritik, do të sjellin një ndjeshmëri të re; ata do të flasin, kush më shumë e kush më pak, edhe për veset e jo vetëm për virtytet kombëtare.
Po i urti Mjedë, që nuk ishte treguar aspak i urtë kur duhej ndëshkuar tradhtia si te Mustaf Pasha në Babunë? Pas Vajit të bylbylit dhe Andrrës së jetës, dy kryevepra të letërsisë shqipe, Mjeda shkroi, në vitet 1901-1911, poemat e tij tingëllimore Lissus, Scodra dhe Lirija. Derisa në dy të parat këndon lashtësinë shqiptare, në të tretën, siç e thotë vetë titulli, lëshon kushtrimin për çlirimin e Shqipërisë: “Lirim, lirim, bërtet gjithkah Malcija…”, duke marrë si model Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Uashington. Ndërsa shkrimtarët e tjerë të traditës apostrofonin, për mirë a për keq, Evropën, Mjeda apostrofon Amerikën, të cilën e vlerëson si faktor politik dhe si gjedhe të lirisë, një element i pavërejtur sa duhet nga studiuesit.
Kthesa ndodh me Migjenin, i cili kërkon liri për vargjet dhe liri për njerëzit. Migjeni këndon për një njeri (mund të jetë dhe mbinjeri) që kërkon ngadhënjim ndërgjegjeje dhe mendim të lirë e jo liri si e gaforres, siç shprehet me ironi në njërën nga poezitë e tij. “Liri! – Po, liri edhe gaforrja gëzon, por gaforre asht” (Të lindet njeriu).[12] Edhe në poezi, edhe në prozë, Migjeni është ikonëthyes; shoqërinë dëshiron ta çlirojë nga kthetrat e dogmës e të hipokrizisë, kurse vargjet nga tirania e metrit, rimës dhe nga konvencat e tjera tradicionale të shndërruara në klishe.
Por, ajme! Jeta e tij qe një “melodi e këputun”, kurse vepra, për shkak të vdekjes së hershme, mbeti e pakryer.
Poetët i frymëzon ideja e lirisë, por mungesa e saj edhe më shumë.
Heroi i rebeluar romantik, çfarë ishte edhe vetë autori i Çajld Haroldit, lordi Bajron, lëshonte kushtrimin: “Se unë edhe gurët do t’i mësoj që të ngrihen kundër tiranisë”. Ky është misioni i poetit, kredoja e tij. Forca orfeike e fjalës; demonizmi krijues.
… Dhe nga njëri Adem tek Ademi tjetër
Nuk mund të flitet për lirinë e Kosovës dhe as për temën letërsia dhe liria pa emrin e njeriut që bëri 28 vjet në burg për shkak se nuk u pajtua me robërinë, pra pa emrin (dhe veprën) e Adem Demaçit. Nuk duhet harruar kurrsesi faktin se ky njeri ishte shkrimtar, autor tregimesh të mrekullueshme dhe i romanit Gjarpijt e gjakut, një nga veprat emblematike të prozës shqipe në Kosovë. Kur ra në burg për herë të parë, në vitin 1958 (e arrestuan në zyrat e “Rilindjes”, ku punonte gazetar), konsiderohej “shkrimtari ma i talentuem i Kosmetit”. Një poet i viteve ’80 e sheh Adem Demaçin si element kimik të lirisë, si një vitaminë, që e emërton në mënyrë inventive “Pikat AD”, nga të cilat duhet të marrin për çdo ditë fëmijët dhe të rriturit, të parët për t’u ngritur në këmbë, të dytët për të qëndruar drejt.[13]
Aq më pak mund të flitet për lirinë e Kosovës pa emrin e atij që një popull i tërë e quan “komandanti legjendar”, të Adem Jasharit dhe familjes Jashari në përgjithësi. Pas plojës së Qirezit e Likoshanit dhe bëmës heroike të Prekazit, që ndërroi rrjedhën e historisë, një natë më mori në telefon nga Gjakova poeti Din Mehmeti dhe më tha: “Fjala është e pafuqishme përballë asaj që ka ndodhur”, gjë që m’i kujtoi vargjet e Homerit: “Të gjithë kreshnikët që në Trojë luftuan/ nuk do të mundja t’i përmend me emër,/ sikur dhjetë gjuhë edhe dhjetë gojë të kisha”.[14]
Ndërkohë, “bacëloku” shkruante poezinë Adem Jasharët (Gjakovë, mars 1998), himn për ata që vdesin duke kënduar dhe poemën Vargje të pëlcitura, një përshpirtje poetike për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës (1981-1999), ku secila këngë (gjithsej 15 sosh), fillon me refrenin “flini të qetë” (“flini të qetë/ me nga një shuplakë Kosovë nën kokë/ me nga një shuplakë/ mbi sy”), duke i shndërruar vargjet, konform kontekstit historik, në “manifest poetik”;[15] Ali Podrimja vazhdonte këngën e tij rebele, të filluar që në rininë e hershme, për “gjakun që nuk falet” (Kosovën), tani me ritme marciale dhe me një gjuhë gati të drejtpërdrejtë: “Plumba nuk ka/ sa jemi ne/ as ka me pasë”, i bindur se liria është afër, sepse: “Kur dhuna/ bëhet ligj/ liria është afër” (mësuesi i tyre, bardi Esad Mekuli, thoshte dikur: “Zullumi kputet prej s’trashi/ gaksorit kungulli s’i shkon gjithmonë mbi ujë!”), ndërsa i urti Azem Shkreli, i brengosur për fatin e atdheut të shndërruar në kashelashë, shtronte dilemën ekzistenciale: “Nuk po e dij, për zotin, për kokë të fjalës/ Të mbytem në det a të Bajramcurrem në male”, siç shprehet në poezinë Epikë të librit Lirikë me shi.[16]
Nuk mund të flitet për lirinë e Kosovës, as pa përpjekjet dhe sakrificat e qindra e mijëra të tjerëve, burra e gra, pleq e të rinj, që e mbajtën gjallë idenë e lirisë dhe luftuan për të në forma e mënyra të ndryshme, ashtu siç nuk mund të flitet për temën “Liria dhe poezia” pa emrat dhe krijimet e shumë poetëve të tjerë, të njohur e më pak të njohur, që ekzekutojnë “kantatën me dy milionë zëra”, siç do të thoshte poeti Qerim Ujkani.
Një poet tjetër, i “brezit ’81”, ish i burgosur politik, në një vjershë kushtuar binomit Adem Demaçi – Adem Jashari, emrat e tyre i ndërlidh me atë të njeriut të parë të njerëzimit, Adamit, alias “hazreti Ademit”. “Në fillim/ ishte Adami./ Pastaj erdhën/ Adem Demaçi/ Dhe Adem Jashari. / I pari erdhi/ Nga Bibla e Shenjtë,/ Hyjnore./ I dyti dhe i treti/ Nga Kosova e vogël/ Tokësore/ Njerëzore”.[17]
Një gjetje e thjeshtë, por gjithsesi e bukur dhe domethënëse.
Poetët e konceptojnë lirinë ndryshe nga filozofët. Filozofët mendojnë me koncepte, poetët me figura.
Fatos Arapi ka një poezi të bukur nga cikli tematik Skënderbeu (1978): Sulltan Murati dhe shqiptari. Është një imazh gati filmik. Padishahu, hipur në kalë, e sodit me përçmim shqiptarin e zënë rob, të lidhur me zinxhirë. Midis tyre zhvillohet ky dialog. Sulltani: “Arnaut, përse lufton ti, kur mund të jetoje dhe ndryshe?”; Shqiptari: “Sepse, Padishah, çdo njeri ka në kraharor një copë qielli/ dhe në të fluturon një dallëndyshe”.
Përgjigje e befasishme e sugjestive, që zgjon shumë asociacione. Jo qytetari që udhëton nga një shtet në tjetrin, duke kaluar kufijtë, me a pa pasaportë, por një dallëndyshe që fluturon e lirë në qiellin e kraharorit, ky është imazhi i lirisë në gjuhën e poezisë.
E dallëndyshet, zogjtë në përgjithësi, sipas simbolologëve, janë simbol i lirisë, por edhe i lidhjes ndërmjet qiellit dhe tokës.[18] Për ata që mund të jenë në nëntokë, në qelitë e errëta të burgjeve apo edhe në varr, kjo lidhje ka kuptim të veçantë. Zogjtë shtegtarë, dallëndyshet në radhë të parë, janë edhe lajmëtarë të ndryshimeve në natyrë dhe, figurativisht, edhe në shoqëri, në rastin e Kosovës lajmëtarë të “Pranverës shqiptare ‘81”.
Zhgënjimi me lirinë dhe trajtimi i saj si jashtëqitje
A është vërtet liria “një mut i madh”, siç thotë një poet yni në një vjershë të tij? “… liria është një mut i madh/ dhe s’e vlen as jetën ta japësh për të”.[19] A mund të flasë kështu poeti i një populli që lufton për liri? Si mund të kuptohen këto vargje në një vend të posadalë nga robëria shekullore? A mund të trajtohet liria si jashtëqitje? Ata që abuzojnë me lirinë, e meritojnë këtë epitet, por jo liria si koncept. E në tekstin prej gjithsej 12 vargjesh të vjershës në fjalë, gati të fetishizuar në mjedisin tonë, formula “liria është një mut i madh” përsëritet dy herë.
Shkrimtari i madh grek Nikos Kazanxaqis, i cili ka shkruar edhe poezi, te romani i tij i mirënjohur Jeta e Zorbës, e quan lirinë “lule”. Toka e Kretës, për të cilën këndon ai, “çdo gur e çdo pemë, gjithçka e saj, ka një histori tragjike”, prandaj liria për të është “lule e jo pleh”. Ja si shprehet Kazanxaqisi me gojën e personazhit narrator. “Si shpjegohet që në pleh mbin e ushqehet lulja? Këtë më thuaj, bre Zorba: se njeriu qenka një pleh e liria lule”.[20] Treva nga vjen ky shkrimtar, ishulli i Kretës, ka luftuar gjatë për liri dhe bashkim me Greqinë, ashtu siç ka luftuar edhe Kosova për liri dhe bashkim me Shqipërinë,[21] kurse poeti ynë “avangard”, ende pa u tharë dheu mbi varret e të rënëve, e përdhos lirinë! Nuk është e rastit që ndër ne u thuren lavde njerëzve që nuk kanë flijuar as edhe një fije floku për lirinë, ndërkohë që ndodh të anatemohen e etiketohen ata që kanë sakrifikuar rininë dhe jetën për të! Dhe kur kështu gjykojnë poetët, ç’mbetet për të tjerët? Fundja, nuk duhet kurrfarë talenti për të prodhuar një varg si ky! Ka në poezinë e Çapriqit segmente vargjesh ironike, si ato ku flitet për kurvat dhe “heronjtë”, që “hanë hekur me dhëmbë” dhe mbajnë fjalime patetike “për pastërtinë e racës”, por në vend që ta drejtojë tehun e kritikës te njerëzit, poeti shan lirinë në përgjithësi.
Ndryshe vepron një poet tjetër bashkëkohor, postmodernist par excellence, i cili, po ashtu, e përdor fjalën “mut” për lirinë, por e vendos në një kontekst tjetër. Duke iu drejtuar poetit të madh amerikan Uollt Uitman, që këndoi aq shumë për lirinë, ky poet shkruan: “Uitman,/ Liria është një mut; e shkelim çdo mëngjes/ dhe bie erë gjithë ditën/ natën mbulojmë kokat me jorganë dhe qajmë për lirinë”.[22]
Në jetë qahet për diçka që është në gjendje të keqe ose për dikë që vdes. Liria në atdheun e poetit shkelet nga mëngjesi deri në darkë si të ishte jashtëqitje. Në orët e vona të natës njeriu pendohet për ato që ka bërë gjatë ditës, andaj mbulon kokën me jorgan dhe qan. Vargu artikulohet në shumës e jo në njëjës: nuk është një individ që qan për lirinë, por një popull i tërë.
I vendosur në lidhje me “lojën e shahut” dhe Uitmanin, ky varg (“natën mbulojmë kokat me jorganë dhe qajmë për lirinë”) e thellon kuptimin e poezisë dhe e shpëton atë nga rreziku i vulgaritetit.
Si krijues dhe intelektual kam qenë dhe vazhdoj të jem kundër abuzimit me lirinë, qëndrim që e kam shprehur qartë në shkrimet e mia, përfshirë edhe poezinë. Po sjell si shembull vjershën Liria, të shkruar në vitin 1999, në të cilën thuhet:
LIRIA
“… se njeriu qenka një pleh e liria lule…”
Mbiu si një lule erëmirë
Erdhi si një ëndërr e bardhë.
Ajo që aq shumë e pritëm
E e ujitëm me lot e gjak.
Nga dritë e saj na u morën sytë.
Zemrat gufuan, u bënë mal.
Flamuri i kuq sakaq në shtizë
Skuqi si asnjëherë më parë.
Emrin e saj Pol Elyari
E shkroi në tokë e në qiell.
Në gjoks si medaljon e vari
Adem Jashari zemërdiell.
Erdhi si një puhizë e lehtë
Përftoi prajshëm si një përrallë.
Ne që dikur digjeshim për të
U sulëm kush më shumë të marrë.
Nga dritë e saj na u lëbyrën sytë.
Zemrat gufuan, u bënë mal.
Flamuri kuq e zi në shtizë
Skuqi si asnjëherë më parë.[23]
Qershori i vitit 1999 solli lirinë e shumëpritur. Flamuri kombëtar valoi i lirë si asnjëherë më parë, por edhe “u skuq” nga veprimet e grupeve dhe individëve që dëshironin të përfitonin nga situata e krijuar, duke keqpërdorur shumë herë emrin dhe simbolet e UÇK-së! Kjo është njëra anë e medaljes: të sjelljes në liri. Tjetra: paraqitja e kësaj atmosfere në poezi. Konkluza: “Liria është një lule e bardhë, po njerëzit, njerëzit janë, me nder, një mut i madh!”.
Por unë jam këtu për të folur për vargjet e të tjerëve e jo për poezinë time.
Autodafeja poetike e Pol Elyarit
Në historinë e letërsisë frënge, e cila me shekuj ka diktuar kahet e poezisë evropiane, por edhe shijen estetike, njihet shembulli i poezisë Liri të Elyarit, të shkruar në vitin 1942, në kohën kur atdheu i poetit, sikurse pjesa më e madhe e kontinentit, gjendej nën thundrën e hordhive hitleriane. Kjo poezi me nam që, siç mund të shihet nga vetë titulli, është himn për lirinë, u shpërnda si trakt në mijëra kopje në zonat e pushtuara të atdheut të poetit, i cili qe përfshirë edhe vetë në frontin e luftës.
Po qe se i parafrazojmë vargjet e kësaj poezie të gjatë, do të mund të thoshim se poeti e shkruan fjalën liri kudo: në qiell e në re, në rërë e në det, në fletoret e tij të shkollës, mbi xhama dritaresh, mbi shtigje malesh, mbi krahët e zogjve, kudo, për ta përmbyllur ligjëratën poetike me vargjet: “Kam lindur të të njoh/ E emrin të ta shqiptoj / Liri”.[24] Thuhet se kjo poezi në dorëshkrim titullohej: Një mendim i vetëm, por më vonë autori e quajti thjesht: Liri. Pas shpërndarjes si fletë volante dhe botimit në revistën algjeriane “Fontaine”, u muzikua nga kompozitori francez Francis Poulenc (Pulenk), që ishte pjesë e rezistencës.
Gjatë luftës qytetare në Greqi (1946-1949), Elyari erdhi në këtë vend për t’u solidarizuar me partizanët grekë, me të cilët u takua në Gramoz. Sipas Moikom Zeqos, poeti francez kaloi edhe në Shqipëri (në vitin 1949) dhe me atë rast i dhuroi Dhimitër S. Shuteriqit, atëbotë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, një libër me autograf në të cilin shkruante: “Est-ce possible? Je n’ai jamais vu de ciel aussi serein et des coeurs aussi sereins. Et pourtant, la tempête fait rage autour de votre roc. Le ciel ressemble aux coeurs. En France, il est tuot aussi beau, mais: plaie du coeur – plaie du ciel”.[25]
Elyari ishte një nga themeluesit e surrealizmit si shkollë letrare, që kishte parim kryesor protestën kundër vlerave tradicionale në shoqëri, por kur Franca u pushtua nga të huajt, ai shkroi poemën himn dhe kushtrim për çlirimin e atdheut : Liri.
Kështu do të ndodhë në Kosovë rreth dyzet vjet më vonë me shkronjat KR (Kosova Republikë), që do të shkruheshin kudo: në muret e shtëpive, në dyer, në dritare, në rrugë, në fusha e male dhe do të bëheshin, si thotë studiuesi i “letërsisë nga burgu”, Bajram Kosumi, edhe përshëndetje në mesin e studentëve, një lloj “mirëmëngjesi”, “mirëdita”, “mirëmbrëma” apo “tungjatjeta” e lindur nga gjaku i të rënëve.[26]
Atdhedashuria dhe pavarësia vetjake
Një poet i viteve nëntëdhjetë, në një poezi të tij me titull Atdhedashuri, ka shpalosur në mënyrë spirituoze ndjenjën e brezit të vet në raport me atdheun dhe lirinë. Nga ky aspekt kjo poezi mund të quhet një lloj manifesti poetik.
Në këtë vend ku dembelizmi është virtyt
Ku ka fusha të gjera me vese
Dhe gënjeshtër me këmbë të gjatë
Unë Historinë e kam lidhur
Pas një gomari veshshkurtër
Që mund të jem unë vetë…”.[27]
Njeriu që flet në këtë poezi jeton në një vend ku dembelizmi është virtyt, ku në fusha rriten vese e jo lule (si te Naimi), ku gënjeshtrat i kanë këmbët e gjata (e jo të shkurtra si në proverb), kurse vendit i prin një gomar (veshshkurtër e jo veshgjatë). Përmbysje dhe dekonstruktim i plotë i mitit romantik, me të cilin refuzon të identifikohet subjekti lirik. E gjithë poezia ngrihet mbi ironinë dhe paradoksin:
Mos kërkoni nga unë të jem as Rozafë
As Skënderbe, as Konstandin
E shumta që mund të kërkoni
Është të jem Ismail Qemal
Ta ngre flamurin kombëtar
Në xhep të pantallonave bluxhinse
Për të shpallur në paqe e pa bujë
Pavarësinë e Mendjes Sime.[28]
I lodhur nga mitologjia kombëtare dhe i zhgënjyer nga hipokrizia politike, ky njeri kërkon lirinë personale ose, siç shprehet autori, shpalljen, “pa bujë”, të “Pavarësisë Mendore”, që konkretizohet nëpërmjet imazhit të ngritjes së flamurit kombëtar në xhepin e bluxhinseve.
Me përmbajtjen e saj në dukje të lehtë, të ngjyrosur me humor, kjo poezi transmeton një ide universale: idenë e ruajtjes së lirisë individuale në shoqëritë ku veprojnë mekanizmat represivë të ambalazhuar me interesin klasor, shtetëror apo edhe nacional.
Isaja Berlini thotë se problemi i lirive qytetare, i pacenueshmërisë së tyre në shoqërinë moderne, u shtrua qysh në fillim të shekullit XX. Në Kongresin e Partisë Socialdemokrate Ruse, të mbajtur në Bruksel e Londër në vitin 1903, një delegat e ngriti problemin e qëndrimit të partisë ndaj lirive themelore njerëzore. U përgjigj Plehanovi, i cili, sipas Berlinit, ishte më i arsimuari në mesin e socialistëve rusë dhe njeri që kishte jetuar njëzet vjet në Perëndim, duke deklamuar proverbin latin: Salus revolutiae suprema lex (Shpëtimi i revolucionit është ligj suprem), që do të thotë: në qoftë se revolucioni e kërkon, duhet të sakrifikohen demokracia, liria dhe të drejtat e njeriut.[29] Këtu zë fill dhuna revolucionare, e cila u zbatua në dy sistemet e mëdha totalitare të shekullit XX: në atë komunist, në njërën anë dhe nazifashist, në tjetrën.
Shkrimtari i njohur çek Milan Kundera, i cili për arsye politike u largua nga vendi i vet për të jetuar në Francë, në romanin Lehtësia e padurueshme e qenies, ka një fjali që shpjegon në mënyrë origjinale atë që ndodhi në vendet e Lindjes pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe në jo pak vende të tjera të botës gjatë historisë. “Regjimet kriminale nuk janë krijuar nga kriminelë, por nga entuziastë që besonin se kishin gjetur rrugën për në parajsë”.[30]
Letërsia si akt krijues i zgjeron kufijtë e lirisë edhe në kushtet e mungesës së saj. Vetë Kadareja, në librin Nga një dhjetor në tjetrin, të botuar pas largimit nga Shqipëria në Francë, shkruan: “Këto janë shënime të një shkrimtari që letërsia e ka çuar drejt lirisë, dhe jo e kundërta liria drejt letërsisë”.[31]
Kështu ndodh, pak a shumë, edhe me krijuesit e rinj këndej kufirit, në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, të cilët u privuan nga liria për shkak të idealit, duke e humbur lirinë fizike, por jo edhe atë shpirtërore.
Liria e prangosur dhe burgu si topos
Shkrimtarët tanë kanë shkruar për lirinë edhe në burg. Shembujt janë të shumtë. Vlen të përmendet rasti i poetit Visar Zhiti në Shqipëri, i cili ra në burg për shkak të poezisë dhe i djemve të ’81-shit në Kosovë, të cilët me jetën dhe veprën e tyre shkruan Librin e Lirisë. Merxhan Avdyli, Ismail Syla, Hydajet Hyseni, Januz Januzaj dhe Bajram Kosumi botuan në vitin 1991, menjëherë pas lirimit nga burgu, librin e përbashkët me titull: Libri i Lirisë. Më i formuari dhe, mbase, edhe më “i çliruari” në mesin e tyre, Bajram Kosumi, e koncepton poezinë si sintezë të ndjenjës dhe intelektit. Heroi lirik i poezisë së tij deklaron se do të donte të krijonte një poezi të çliruar nga kufizimet që dikton burgu, një poezi përmasash universale, gjedhe të së cilës janë Homeri e Gilgameshi, por edhe Lorka, Brehti e Hikmeti, mirëpo ai është koshient për rreziqet që e presin atë dhe shokët e tij: “… ditët gjithnjë po më shkasin/ Duke vrarë mendjen/ Cilin sy do të ma nxjerrin nesër/ Cilin shok nesër do të ma vrasin!”.[32]
“Ëndrrat më të bukura për lirinë shihen në burg”, pat thënë dikur Shileri, që i takonte lëvizjes së madhe kulturore dhe letrare “Sturm und Drang” (Stuhi dhe vrull). Një nga bashkautorët e Librit të Lirisë dhe një nga prijësit e demonstratave të vitit 1981, Hydajet Hyseni, në një vjershë të tij me titull Liria, të shkruar në “CZ”,[33] shkruan: “Ai që shqiptoi për herë të parë,/ Fjalën e ëmbël L I R I;/ Ndonjë i burgosur do t’ketë qenë/ Ndonjë i mbyllur në qeli…!”.
Zhiti krijoi termin burgologji, me të cilin nënkupton krijimtarinë e tij dhe të shkrimtarëve të tjerë të krijuar në burg dhe për burgun, kurse Kosumi u mor me studimin e kësaj krijimtarie, të “letërsisë nga burgu”, të cilën ai e quan “kapitull më vete në letërsinë shqipe”.[34]
Interesimin për krijimtarinë e ish-të burgosurve politikë, Kosumi e fillon me letrat nga burgu, fillimisht të të vëllait, Musli Kosumit, por edhe të të tjerëve, shokëve të tij të burgut dhe bashkëvuajtësve të tjerë, ndërsa vetë librin e hap me një paragraf nga romani dokumentar i Visar Zhitit Ferri i çarë, në të cilin thuhet:
“Ati ynë që je në qiell!
Bëj që policët të mos i gjejnë poezitë e mia! Shpëtoi
Ato dhe mua! Poezitë e mia s’kanë faj. Unë e kam
fajin dhe po e vuaj dënimin.
Ah, si po dridhem, kam frikë! Ku të vete? Kush
Mund të jetë më i miri në gjithë atë gardh policësh?
Jo si polic, jo, por që s’di të kontrollojë imtësisht,
që s’mund t’ia hedhësh.
Sa të egër janë, si po na mbikëqyrin…
Ati ynë! Dhe në jemi bijtë e tu…”.
Edhe pse fragment i një vepre në prozë, ky tekst është esencialisht poetik, gjë që i detyrohet vokacionit lirik të autorit, talentit dhe imagjinatës së tij.
Libri i Bajram Kosumit Letërsia nga burgu është një qasje gjithëpërfshirëse e “letërsisë nga burgu” (si e quan ai), e cila, sipas tij, “si për vlerën letrare”, po ashtu edhe “për vlerën dokumentare”, meriton një trajtim serioz shkencor.
Duke folur për lirikën nga burgu, autori i këtij libri shkruan:
“Liria qenëson në çdo varg të kësaj lirike. Ajo merr të gjitha kuptimet e mundshme poetike, filozofike, njerëzore, natyrore… Ajo nuk është vetëm kombëtare apo politike, si do të mund të pritej, por liri në kuptimin më të gjerë të fjalës: është liri edhe në kuptimin e zhvillimit të njerëzimit (…), liri në kuptimin e dashurisë ndaj femrës, është etje për gjelbërim, etje për sytë e bukur të vashës, është guxim për të krijuar, është shpirt që s’e mban burgu, është ëndërr e bleruar, është Maratonomak, është mëngjes, është mall për tokën, është gjaku i dëshmorit, është rreze dielli e futur në qeli, është vetë dielli, është toka pjellore, është buzëqeshje, është poezia e shkruar…”.[35]
Shihet qartë se ky tekst është shkruar nga një studiues i letërsisë që është edhe poet, por edhe nga një njeri që e ka provuar, në rininë e vet, privimin nga liria (në kuptimin fizik) dhe qëndrimin shumëvjeçar në burg.
Edhe pse teza e Kosumit për ta trajtuar si entitet më vete “letërsinë nga burgu” (“letërsia e burgut” mbase do të ishte më e drejtë) është paksa e sforcuar, ai ka arritur t’i hetojë disa nga veçoritë qenësore të kësaj krijimtarie, në radhë të parë raportin burgu-liria, pastaj raportin e subjektit lirik me botën jashtë mureve (me atdheun, vendlindjen, familjen, shokët) dhe, së fundmi, raportin me lexuesin hipotetik, sepse kjo poezi nuk ka mundur të komunikojë me lexuesin në kohën kur është krijuar, por pas daljes së autorëve nga burgu dhe pas publikimit të saj, shumë herë me vonesë.
Drama e “brezit ’81” u përsërit, në formë edhe më të rëndë, në fund të shekullit, në qershor të vitit 1999, kur shumë të burgosur politikë shqiptarë, kryesisht të rinj, pas tërheqjes së trupave serbe nga Kosova, u morën peng në burgjet e Serbisë. Një ndër ta është poeti Besim Zymberi nga fshati Varosh i Ferizajt, i cili në burgun e Mitrovicës së Sremit shkruan vargjet:
Në do dashuri, këput një lule, e ke atë në fletët e saj,
Në do të prekësh diellin, këput një yll dhe do t’ia arrish.
Në e do pafundësinë, vetëm anës së detit mbaja,
Por mos mendo se jeta është vetëm punë perëndish.
Dhe nëse s’gjen dashurinë e ylli s’të dëgjon,
Dije se ke harruar së pari të kërkosh lirinë,
Pafundësia, thellë nga guri të vështron,
Merre një gur, pra latoje në të historinë.
(Latoje në gur historinë)
Dashurinë mund ta gjesh te një lule, diellin te një yll, pafundësinë në thellësitë e detit, historinë mund ta gjesh dhe ta latosh edhe te një gur, por nuk duhet harruar asnjëherë se emërues i përbashkët i çdo gjëje në këtë botë është liria, pa të cilën s’ka kuptim jeta njerëzore.
Besim Zymberi shkroi poezi edhe para se të binte në burg, por edhe brenda mureve të burgut, duke dëshmuar se nuk e kishte humbur “lirinë e brendshme”. Poezitë e tij dolën nga burgu i Mitrovicës së Sremit, ku poeti përpëlitej mes ankthit dhe shpresës:
Terri edhe më tutje më qesëndis,
Dhe grilat me shpoti më tregojnë qiellin.
Më ngjajnë me një gjarpër të zi mbi plis,
Që u zë bardhësive diellin.
Por ja, një Orë e Bardhë tek zbret,
Tremb muzgun, i hap rrugë agimit:
Zgjohu! – ëmbël ajo më thërret,
Dhe së toku i qeshemi ngadhnjimit.
Nëse liria është kryefjala e kësaj poezie (edhe kur nuk shqiptohet verbalisht), Ora e Bardhë është kryefigurë e saj. Ajo kontraston me ferrin, ankthin, tmerrin, vuajtjen, vetminë. As në çastet kur gjendet buzë greminës, poeti nuk e humbet shpresën dhe besimin. “Orët e Bardha” qëndrojnë mbi të si engjëj mbrojtës, i japin forcë t’i mbijetojë ditët e zeza dhe t’i thotë jo vdekjes.
Figura e Orës së Bardhë te ky poet është sa mitike, aq edhe reale. Orët e Bardha janë personifikim i tri qenieve më të dashura për poetin, nënës, motrës dhe të dashurës. Me këtë renditje ato shfaqen edhe te Marathonomaku i Nolit: “nëna, motra, nusja dalin/ të të ndalin”. Kjo është shumë shqiptare dhe shumë njerëzore.
Kur i lexojmë këto vargje na kujtohen fjalët e Bajram Kosumit se “liria qenëson në çdo varg të kësaj lirike” (sikundër edhe të gjithë “poezisë nga burgu”) dhe se ajo “nuk është vetëm liri kombëtare apo politike (…), por liri në kuptimin më të gjerë të fjalës”.
Modeli i ligjërimit poetik të Zymberit është agollian (Dritëroi është shkollë e madhe poetike), por i mbrujtur me përmbajtje dhe ndjeshmëri origjinale. Vetë Agolli pohon se në dy librat e tij të botuar në ndërrim të shekujve: Perëndia qan nën Shqipërinë (1999) dhe Në prehrin e Orëve të Bardha (2001), zbulojnë “një poet të vërtetë me një materie të gjallë poetike, përherë në lëvizje…”.[36]
Në vend të përfundimit
Tema e lirisë është lajtmotiv i poezisë shqipe. Për lirinë kanë shkruar poetë të kohëve, brezave dhe moshave të ndryshme, si dhe të orientimeve të ndryshme ideostilistike. Natyrisht se ndryshe është shkruar për lirinë në kohën e censurës dhe ndryshe pas heqjes së saj; ndryshe para se të çlirohej Kosova dhe ndryshe pas çlirimit të saj.
Në të kaluarën për lirinë e Kosovës është dashur të këndohet në mënyrë alegorike, përmes simbolesh e aluzionesh, shumë herë duke e maskuar së tepërmi idenë dhe mesazhin.
Liria vazhdon të jetë obsesion i poezisë shqipe, por në forma dhe mënyra të ndryshme.
Përballja e njeriut tonë me lirinë (në Shqipëri pas vitit 1990, kurse në Kosovë pas vitit 1999) nuk kaloi pa tronditje. Këto tronditje u reflektuan edhe në krijimtarinë letrare e artistike. Në procesin e transformimit të shoqërisë nga një sistem në tjetrin nuk munguan fenomenet që shkaktuan pakënaqësi dhe zhgënjim. Demokracia në Shqipëri u shndërrua shumë herë në kaos e anarki, kurse vrapimi pas pushtetit, parasë dhe pasurisë, u bënë dukuri të përditshme në tërë hapësirën shqiptare.
Poetesha e njohur rumune, Ana Blandiana, në një intervistë të saj, shfaq një mendim shumë interesant: “Bota përreth meje ka ndryshuar – tani kemi lirinë, represioni është zhdukur – por ligësia nuk ka pushuar së ekzistuari, ka krijuar forma të reja, në të cilat manifestohet dëshira e egër për pushtet, dominim dhe manipulim”, duke shtuar se tani, “në demokraci”, ajo vetë, ndihet “më e vetmuar se në diktaturë”.[37]
I revoltuar nga situata absurde e krijuar në kushtet e lirisë, të abuzimit me të, poeti Sabit Idrizi, një krijues me ndjeshmëri të hollë për zhvillimet në shoqëri, në poezinë Privatizimi i atdheut shkruan: “Mbitokën e morën me çka ka/ Tash ia kanë mësyrë nëntokës/ Po mbetet vetëm edhe qielli/ Që edhe ashtu s’është i yni/ E çka po na mbetet që ta quajmë atdhe/ Që të jetojmë për të / E “të vdesim si me le”.
Kush janë “privatizuesit e atdheut”? Janë ata që “u ka dalë tambli mbi përsheshin”, siç shprehet poeti duke përdorur një shprehje popullore.
“Ka kohë që po pres të ma vini veshin,/ Ju që ju ka dalë tambli mbi përsheshin”.
Kohën në të cilët jeton poeti e quan “të përdalë”, kurse ata që zhvatin popullin dhe shtetin “zullumqarë”. Aluzioni është i qartë: njerëzit e pushtetit, kuptohet të pandërgjegjshmit, por edhe të gjithë ata që keqpërdorin pozitën e tyre në shoqëri për përfitim personal, i fshikullon poeti me dyvargëshin e mësipërm.
Historia ka provuar se nuk mjafton të kesh shtet që të jesh i lirë, sepse liria mund të rrezikohet nga pushtuesit e huaj, por edhe nga pushtetarët vendës. Në trajtimin e temës së lirisë në poezinë shqipe në Kosovë kemi dy faza: para dhe pas vitit 1999. Raporti i poetit me lirinë nuk është aspak i njëtrajtshëm. Ai është, siç pamë nga shembujt e mësipërm, një spektër i gjerë e i larmishëm.
Poezia dhe liria janë të pandashme, aq sa mund të quhen edhe sinonime. Ato nuk mund të merren me mend pa njëra-tjetrën. Duke folur për rolin e poezisë në jetën e popujve, esteti gjerman Nikolaj Hartman thotë se ideja e lirisë përbën boshtin kurrizor të poezisë së një populli.[38]
Ideja e lirisë ka qenë frymëzim i përhershëm i letërsisë shqipe, gjatë gjithë zhvillimit të saj historik dhe posaçërisht nga Lidhja e Prizrenit, kur krijohet ndërgjegjja kombëtare në kuptimin modern të fjalës, e deri në ditët e sotme.
Me poezinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ) nuk u morëm në këtë punim, sepse e kemi trajtuar në studimet e mëparshme.[39]
Poetët bashkëkohorë shqiptarë, sikurse edhe ata të traditës (mjafton t’i kujtojmë vargjet e Koto Hoxhit, të shkruara në bodrumet e kalasë së Gjirokastrës: “Ju, o djem, do më kujtoni/ kur të ngjallet liria,/ po ç’të bëj, unë i mjeri,/ që m’u mbyllnë sytë e mia”), për lirinë këndojnë edhe në burg (Visar Zhiti, Hydajet Hyseni, Bajram Kosumi, Merxhan Avdyli, Besim Zymberi, Bedri Zyberaj etj.). Burgu është topos dhe kronotop i kësaj poezie.
Adem Demaçi dhe Adem Jashari janë dy figurat ikonike të rezistencës për bëmat e të cilëve këndojnë poetë të brezave të ndryshëm (Din Mehmeti, Ali Podrimja, Adem Gashi, Abdullah Konushevci, Ismail Syla etj.).
Poeti Adem Gashi, përveç vargjeve të shumta për luftën e UÇK-së, shkroi edhe tekstin e këngës himn për epopenë e Prekazit dhe “komandantin fjalëpakë”, Sërish vjen marsi.
Zhgënjimi me disa veprime të pasluftës në Kosovë (si dhe të pas ’90-s në Shqipëri), nuk e arsyeton përdhosjen e lirisë në përgjithësi, të lirisë si koncept, por toni kritik e sarkastik ndaj shpërdoruesve të lirisë dhe zhvatësve të atdheut i jep një dimension të ri kësaj poezie.
Poetët shqiptarë kanë kënduar në radhë të parë për lirinë kombëtare. Rilindësit, tërë ajo plejadë krijuesish dhe intelektualësh idealistë, që nga Naimi, De Rada e Pashko Vasa e gjer te Çajupi, Asdreni, Fishta, Konica, Noli e të tjerë, e ngritën në kult dëshirën për ta parë atdheun të lirë e të pavarur; për ta parë Shqipërinë “zonjë”, si në kohën e “Motit të Madh”, ndërsa emri i Heroit Kombëtar, Skënderbeut,[40] që e përshkon tërë krijimtarinë e tyre, ishte argumenti më i fortë i kësaj krenarie të ligjshme. Por, poetët tanë, sikundër edhe kolegët e tyre në Ballkan dhe në botë, flasin e shkruajnë edhe për lirinë e njeriut si individ, si pjesë e shoqërisë, sikundër edhe për kuptimin e lirisë si vlerë universale në të gjitha dimensionet e saj.
Marrë nga numri 23 i revistës Akademia
[1] Zygmunt Bauman, Liria, Dita 2000, Tiranë, f. 9. Përkthyer nga Bashkim Shehu.
[2] Po aty, f. 17.
[3] K. R. Popper, The Open Society and Its Enemies (Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj), Vëll. I, London 1945, f. 174-175.
[4] Isaiah Berlin, Four Essays on Liberty (Katër ese për lirinë), cituar sipas botimit maqedonisht Четири есеи за слободатa, Kultura, Shkup 2000, f. 97.
[5] Shih: Karl Sandberg, Populli, po, Rilindja, Prishtinë 1982, f. 128.
[6] Jean-Paul Sartre, Ekzistencializmi është humanizëm, Phoenix, Tiranë 1997, f. 27.
[7] Imagologjia. Shkenca mbi tjetrin (frëngjisht: l’autre; anglisht: the other). Disiplinë që merret me zbërthimin e klisheve, të paragjykimeve dhe të stereotipave në përgjithësi të opinionit ndaj kulturave dhe identiteteve të tjera. Alteriteti dhe stigmatizimi i tjetrit.
[8] Shih: Ernest Koliqi, Kritikë dhe eseistikë, Tiranë, 1999, f. 79; Rexhep Qosja, Përsiatje rreth poetëve të mëdhenj, Kontinuitete, Rilindja, Prishtinë 1972, f. 227-242.
[9] Marin Barleti, Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, Tiranë 1964, f. 73-74.
[10] Ismail Kadare, Kështjella, Naim Frashëri, Tiranë 1970, f. 213.
[11] Ky punim, në formë të përmbledhur, është paraqitur në tryezën e rrumbullakët me temë Poezia dhe liria, të mbajtur në Skënderaj më 11 dhjetor 2024. Rrallëherë gjatë historisë ky paragraf ka tingëlluar më fuqishëm sesa në vitet 1998-’99, kur Kosova u vu para dilemës hamletiane: “të rrosh a të mos rrosh”.
[12] Migjeni, Vargjet e lira, Tiranë, 1944, f. 9.
[13] Abdullah Konushevci, Pikat AD, Papyrus, Prishtinë, 2002, f. 47.
[14] Iliada, Kënga II, Tiranë, 1979, f. 33. E përktheu Gjon Shllaku.
[15] Shih poezinë: Manifest poetik 1999, në librin Lumturia është mashtrim, Dukagjini, Pejë 1999, f. 105.
[16] Azem Shkreli, Lirikë me shi, Prishtinë 1995, f. 45.
[17] Ismail Syla, Religjioni i Pikëllimit, Buzuku, Prishtinë, 2015, f.
[18] J. Chevalier, A. Gheerbrant, Rječnik simbola. Mitovi i običaji, geste, oblici, likovi, boje, brojevi. Nakladni zavod MH, Zagreb 1983, f. 540.
[19] Basri Çapriqi, Frutat bizare, Rilindja, Prishtinë, 1996, f. 27.
[20] Nikos Kazanxaqis, Jeta e Aleksis Zorbas, Albin, Tiranë, 1996, f. 28. Përktheu nga greqishtja Stavri Dajo.
[21] Pas kryengritjes së viteve 1897-1898, u shpall Shteti autonom i Kretës, një lloj protektorati ndërkombëtar, i cili në vitin 1913 iu bashkua Greqisë.
[22] Petraq Risto, Lojë shahu me Uitmanin, Engjëlli me virusin H5N1, Globus R., Tiranë, 2006, f. 26.
[23] Agim Vinca, Psalmet e rrënjës, Brezi 9, Tetovë, 2007, f. 75.
[24] Në origjinal frëngjisht: “Je suis né pour te connaitre/ Pour te nommer/ Liberté”. Poezia Liri ka disa përkthime në gjuhën shqipe (është shqipëruar nga poetë dhe përkthyes të njohur si Lame Kodra, Dritëro Agolli, Muhamed Kërveshi etj.) Përkthimi i mësipërm është imi. Shih librin Psalmet e rrënjës, Brezi 9, Tetovë, 2007, f. 125-128.
[25] Në shqip: “Si është e mundur? Unë nuk kam parë kurrë qiell kaq të qetë e zemra kaq të qeta. E, megjithatë, stuhia po çmendet rreth shkëmbit tuaj. Qielli u përngjet zemrave. Në Francë ai është po aq i bukur, veçse: plagë e zemrës, plagë e qiellit!”. Letër e Moikom Zeqos dërguar Dritëro Agollit. Shih: Pol Elyari i shqipëruar, f. 295.
[26] Bajram Kosumi, Revolucioni 1981, Brezi ’81 & Embeta, Prishtinë, 2025, f. 141.
[27] Andi Bejtja, Apokalipsi kurrë nuk ndodh. Përgatiti Mira Meksi, Tiranë, 1998, f. 38.
[28] Po aty, f. 39.
[29] Isaja Berlin, Vep. cit., f. 96.
[30] Milan Kundera, Lehtësia e padurueshme e qenies, Dituria,. 2015, f. 173.
[31] Ismail Kadare, Nga një dhjetor në tjetrin. Kronikë, këmbim letrash, përsiatje, Fayard, Paris 1991, f. 9.
[32] Bajram Kosumi, Poezia që do të doja ta shkruaja, Fjalor i barbarëve, Brezi 81, Prishtinë, 2000, f. 92.
[33] “CZ”, Centralni Zatvor (Burgu Qendror) në Beograd, ku autori ka qëndruar një kohë të gjatë.
[34] Bajram Kosumi, Letërsia nga burgu, Toena, Tiranë, 2006, f.10.
[35] Po aty, f. 74.
[36] Fjala në kopertinën e mbrapme të librit Në prehrin e Orëve të Bardha.
[37] Intervistë dhënë gazetës Koha ditore, 5 janar 2025.
[38] Nicolai Hartmann, Äesthetik, Berlin, 1953. Cituar sipas botimit serbisht: Nikolaj Hartman, Estetika, Kultura, Beograd, 1968, f. 216.
[39] Shih kapitullin e parë të librit Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980) – Poezia si akt moral.
[40] “Një emër, Gjergj, e kish si diellin,/ Tjetrin si hënën, Skënderbe”, do të shkruajë Kadareja te vjersha: “Portreti i Skënderbeut”, Koha, Tiranë 1976, f. 19.