Poezia nuk komprometohet kurrë

05 mars 2023 | 08:41

Lenore Kandel 

Poezia nuk komprometohet kurrë. Ajo është manifestim – një përkthim i një vizioni, një iluminizëm, një përvojë. Nëse bëni kompromis, bëheni profet i verbër.

Nuk ka kurrfarë kuptimi sot në atë poezi që sot ekziston sall si ushtrim i mirësjelljes. Teknika është e nevojshme për aq kohë sa përdoret si ngritëse e zonja për qartësi, bukuri, vizion; kur dashurohesh me veten ajo prodhon masturbim verbal.

Poezitë që shkruaj kujdesen për të gjitha aspektet e krijesës dhe të gjithë universit nëpër të cilin lëviz. Qëllimi është ngritja e vetëdijes. Çfarë mund të jetë vetëdija mbi atë se si një zog shkallmon qiellin me fluturimin e tij ose vetëdija për vështi­rësinë dhe nevojën e besimit ose vetëdijen mbi dëshirën për vetëdije dhe, gjithashtu, frikën nga vetëdija. Dhe kjo mund të arrihet përmes bukurisë ose shokut ose orizit, ama drejtimi është gjithmonë drejt një vizioni të qartë, hem brenda hem jashtë.

Kjo kërkon ndershmëri në intimitetin e poetit dhe të poe­zisë. Një ndershmëri herë e gëzueshme, herë e dhimbshme, drejtuar vetë poetit ose lexuesit ose të dyve. Dy nga poezitë e mia, të botuara në një libër të vogël, për dashurinë fizike dhe thirrjen, njohjen dhe pranimin e hyjnores te njeriu përmes dashurisë fizike. Me fjalë të tjera, një kënaqësi. Një kënaqësi aq e madhe sa të bën të aftë të dalësh nga vetja jote private dhe të marrësh pjesë në hirin e universit. Ky formulim i thjeshtë dhe mjaft i qartë, i zgjeruar dhe në mënyrë poetike i demonstruar, ka ngritur një zemërim të vështirë për t’u besuar. Pjesa më e madhe e një zemërimi të tillë ishte për shkak të përdorimit poetik të disa fjalëve me katër shkronja me origjinë anglo-saksone që nuk u zëvendësuan me më shumë eufemizma.

Prej këtu fillon çështja e gjuhës poetike.

Çdo gjë që është gjuhë është gjuhë poetike dhe nëse fjala e kërkuar nga poeti nuk ekziston në gjuhën që ai njeh, atëherë i takon atij ta zbulojë. Kushti i vetëm kufizues mund të jetë që fjala e saktë e kërkuar nga poezia dhe sall poeti mund të jetë gjyqtari i saj përfundimtar.

Eufemizmat e zgjedhura nga frika janë në pakt me hipokri­zinë dhe menjëherë do ta shkatërrojnë poezinë dhe përfundi­misht do ta shkatërrojnë edhe poetin.

Çdo formë censure, mendore, morale, emocionale apo fizike, qoftë nga brenda apo nga jashtë, është pengesë kundër vetëdijes. Poezia është e gjallë sepse është një mjet vizioni dhe përjetimi. Nuk është domosdoshmërisht e këndshme. Nuk është domosdoshmërisht e pafajshme.

Poezia doli nga klasa e shkollës dhe doli në rrugë dhe kështu prodhoi një rrjedhë pllenimesh të kryqëzuara, të cilat dhanë shumë fryte jetike si për poezinë ashtu edhe për shkollën. Bota akademike prirej ta gjeneronte frikën e kodit infra të kuqe, duke fyer dikë. Vizionet dhe gjuha shpesh ktheheshin të vockla, të nxitura nga një shurdhues. Një poezi u bë aq shpesh një mjet për gjimnastikën letrare.

Poezia e rrugës shmang kurthin e rrugës, ama shumë shpesh humb vizionet e veta për shkak të mungesës së qartësisë, për shkak të shkencës, për shkak të mungesës së artit në zanat. Poezia që është poezi nuk ka nevojë që të klasifikohet sipas dy kornizave të përshkruara më sipër ose në ndonjë mënyrë tjetër. Ti ekziston. Nuk mund të ekzistojë në shoqërinë e censurës. Nëse një poet censuron vizionin e tij, ai nuk e thotë më të vërtetën ashtu siç e sheh. Nëse censuron gjuhën në një poezi, ai nuk përdor ato fjalë që për të janë fjalët më të për­sosura që duhet të përdorë.

Ky vetënanifikim i hap rrugën një kufizimi artificial të imponuar mbi një art, drejtimi i të cilit është përtej kufijve të imagjinueshëm. Nuk ka pengesa për poezinë apo profecinë; nga natyra e tyre ato thyejnë çdo pengesë, ato janë shpërthime perceptimi, vija drejt pafundësisë. Nëse një poet gënjen për vizionin e tij, ai gënjen për veten dhe veten; dhe kjo krijon një pengesë të vërtetë. Kur një poet, për oportunizmin e për­shkruar si të frikshëm, përdor një gjuhë tjetërfare nga ajo që është e përsosur për poezinë, ai bëhet një person i oportu­nizmit të frikshëm. Kur një agjent i jashtëm merr përsipër detyrën e censurimit të poezisë, do të thotë të censurojë pra­nimin e së vërtetës dhe kapërcimin drejt zbulesës. Kur një shoqëri fillon të ketë frikë nga poetët e saj, kjo do të thotë se ajo ka frikë nga vetja. Një shoqëri që ka frikë nga vetja atëherë ajo e ka definuar veten si ferr. Një poezi e shkruar dhe e botuar është në dispozicion për ata që e zgjedhin ta lexojnë. Për mendimin tim, kjo përfshin një përgjegjësi themelore të poetit – i cili e thotë të vërtetën ashtu siç e sheh. Se e thotë me gjithë bukurinë e saj, aftësinë për të befasuar; për të cilën është e aftë, se ajo nxit ndjenjën e saj të habisë; se ajo e përpunon alkiminë brenda gjuhës – këto janë vetë forma dhe ekzistenca e poezisë.

Publiku i poezisë moderne është pak a shumë i ri. Ne lëvi­zim në një botë ku polaritetet dhe mundësitë e jetës dhe vde­kjes ekzistojnë si një prani e vazhdueshme e vetëdijes. Pasi koncepti dhe prakticiteti i shkatërrimit të tepruar, i një poten­ciali shkatërrues, madje minimizues, u bë ajo që të gjithë e dinë, aura e mundësisë së një vdekjeje kozmike u bë e duk­shme. Kishte raste kur të rinjtë mund të futeshin butësisht në jetën e tyre si të moshuar, dhe nëse donin t’i shpërfillnin problemet më të thella të njerëzimit, të marrëdhënies midis njeriut dhe njeriut, një gjë e tillë u bë e lehtë për ta. Epoka jonë sigurisht nuk është një nga ato, dhe zgjedhjet e të rinjve janë të thella e të vështira. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeç djemtë duhet të vendosin nëse do t’i përkushtohen argëtimit kombëtar të vdekjes. Shumë, në vend se ta pranojnë botën e luftës dhe dëshpërimin personal që u propozohet nga shumica e të rriturve, po zgjedhin të shfaqin një mënyrë tjetër jetese, të motivuar drejt kënaqësisë, drejt iluminimit, dhe drejt veprimit të kombit të Përbashkët.

Ato janë zgjedhje të vështira për t’u bërë, që nuk lejojnë arratisje.

Ata që lexojnë poezi moderne një gjë të tillë e bëjnë me kënaqësi, për të ditur më shumë, ngandonjëherë për të gjetur këshilla. Më e pakta që mund të presin është që poeti që ndan pikëpamjet dhe përvojat e veta me ta, ta bëjë këtë pa hipo­krizi. Të komprementosh në poezi nga frika do të thotë ta atrofizosh psikikën. Kompromisi për oportunizëm në poezi është vrasje e butë e vogël e shpirtit.

Përktheu nga anglishtja Fadil Bajraj. Marrë nga numri 16 i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për çdo vit 100 pjesëtarë të Policisë së Kosovës japin…