Poezia shqipe jehoi për 30 vjet në Kumanovë

14 mars 2022 | 14:21

Të nderuar miq,

Mbrëmë kisha privilegjin që në cilësinë e kryetarit të Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” t’i shpall të hapura “Takimet Poetike të Karadakut”, të 30-at me radhë. Ky vit jubilar bashkoi shumë poetë e poete nga shumë qytete shqiptare të cilët bënë të jehojë zëri i poezisë shqipe në mesin e qytetit të Kumanovës, pikërisht më 11 mars, datë simbolike kjo që lidhet me demonstratat studentore të vitit të largët 1981.

Gjatë fjalës sime vura theksin te nisma shumë fisnike e disa intelektualëve relativisht të rinj në moshë si Fadil Bekteshi, Nehas Sopaj, Bejtush Mehmeti, Burhanedin Xhemaili, Zejnure Salihu, Abdurrahman Thaçi, Hajrullah Misni, Nehat Jahiu, Mumin Zeqiri, Ismail Ganiu, Arben Ibrahimi, Selajdin Shbani, Sunaj Raimi dhe disa të tjerë të cilët bënë të mundur themelimin e këtij klubi në vitin e largët 1992 ndonëse kishin shumë pengesa të natyrave të ndryshme jo vetëm nga shteti ynë i atëhershëm.

Por privilegji mori peshën e nderimit kombëtar kur në emër të kryesisë ndava çmimin special “Jehona e 11 Marsit” për shkrimtarin e njohur dhe veprimtarin e dalluar profesor Avni Deharin. “Çmim që peshon shumë sepse vjen nga vendlindja ime”, ishin këto fjalët e Avni Daharit që morën ndjesi te të gjithë të pranishmit.

Po ashtu, kisha nderin të japë edhe tre çmimet e fituesve “Fadil Bekteshi”, dhe vendin e parë për poetin e njohur nga Presheva, Bilall Maliqi, vendin e dytë për poeten nga Korça, Gerta Bandilli dhe vendin e tretë për poetin nga Tetova, Daim Iljazi.

Në këtë 30-vjetor kryesia ndau pllakate për anëtarët kyçë që themeluan klubin, ndërsa pllakate pas vdekjes u nda për poetin e ndjerë Fadil Bekteshi, i cili, siç e ceka gjatë fjalimit tim, ishte një promotor i pakundshoq i organizimeve kulturore te ne.

Manifestimin e nderoi ministri i Administratës Publike dhe Shoqërisë Informatike, Admirim Haliti, kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitriveski, kryetarja e Klubit të Shkrimtarëve “Oeneum” nga Tetova, poetja Behare Neziri, kryetari i Klubit Letrar “Bota e Re” nga Korça, Eris Rusi, kryetari i Klubit Letrar “Nositi” nga Kamenica, poeti Nexhat Rexha.

Mirënjohje klubi ndau edhe për personat e tjerë  post mortem: Zijadin Ismali, Vaid Saihiti, Fehmi Zylfiu, Rahim Ganiu, Nuri Rexhepi-Dana. Ndërsa mirënjohje për personat që ndihmuan në funksionimin e klubit ndër vite u dhanë: Kalosh Çelikut, Nazmi Beqirit, Ismail Bilallit, Ali Qerimit, Arta Selmanit, Etem Xheladinit, Ixhrete Mustafës, Fersan Binës, Nusrete Kamberit, Berat Aqifit, Agim Rushitit, Demush Bajramit, Teuta Rexhepit, Nexhat Aqifit, Selver Ajdinit, komunës së Kumanovës, komunës së Likovës, komunës së Çairit, komunës së Gostivarit.

Poetët që morën pjesë ishin: Flora Brovina, me të cilën u hap Ora e Madhe Letrare, Mexhit Mehmeti, Ejup Ajdini, Bilall Maliqi, Alketa Spahiu, Nexhat Rexha, Enkelejda Mitrollari, Ismail Baftjari, Nexhat Çoçaj, Arben Rashkaj, Sinan Sadiku, Gerta Bandilli,  Gurali Spahillari, Istref Haxhilleri, Arben Ibrahimi, Daim Iljazi, Adem Abdullahu, Selvete Abdullahu, Bajramali Selimi, Shefqete Gosalci, Begzad Rrahmani, Avni Shaqiri, Sulejman Mehazi, Berat Sadiku, Rexhep Abazi, Selajdin Shabani, Sunaj Raimi, Mejrem Kajolli-Tusha, Bajram Ramadani, Hysen Kqiku, Arsim Halili.

Më poshtë fjalimi im:

Ky 30-vjetor na gjen në një atmosferë krejtësisht tjetër nga rrethanat politike aspak të favorshme që ishin në vitin e largët 1992 kur u themelua  ky klub e ku pa dyshim meritën kryesore e kishte poeti i ndjerë Fadil Bekteshi, njëherësh kryetari i parë i Klubit të Shkrimtarëve ‘’Jehona e Karadakut’’. Ishte letërsia, ishte dashuria për vetë poezia, ishte ideali dhe këmbëngulja e pakompromis e disa intelektualëve relativisht të rinj në moshë si Fadil Bekteshi, Nehas Sopaj Bejtush Mehmeti, Burhanedin Xhemaili, Abdurrahman Thaçi, Zejnure Salihu, Mumin Zeqiri, Nehat Jahiu dhe disa të tjerë që morën guximin ta themelojnë njërin nga klubet e para të shkrimtarëve në Maqedoninë e Veriut me emër shumë simbolik ‘’Jehona e Karadakut’’. Them guximin sepse në atë kohë, ndonëse ishim në pluralizëm formalisht, në brendi sistemi politik i kohës nuk e dëshironte intelektualizmin shqiptar, nuk i përballonte poetët dhe romansierët e rinj të botonin lirshëm dhe të vepronin lirshëm në gjuhën shqipe.  Klubi normalisht përgjatë 30 vjetëve pati ngritjet e veta shumë cilësore në botime, me theks te revista ‘’Doruntina’’, gjithashtu pati dhe situata jo shumë të favorshme për mbijetesën para dhe pas konfliktit të armatosur të vitit 2001. Pa modesti e them se, përveç të ndjerit Fadil Bekteshi, që ishte promotor i pakund shoq i funksionimit fillestar të klubit, njeriu kyç për vazhdimësinë e funksionimit të klubit ishte shkrimtari i njohur nga Kumanova, Burhanedin Xhemaili, pa angazhimin e të cilit në disa periudha të caktuara nuk do të kishim vijimësi në frymëmarrjen kulturore të klubit dhe të “Takimeve Poetike të Karadakut”.  Tani kur jemi në një eveniment festiv, simbolika e 11 marsit që ishte dhe mbeti imazhi kryesor i Takimeve Poetike, na bashkon përsëri kur klubi për herë të dytë do të ndajë një çmim special me titull “Jehona e 11 Marsit’’. Herën e parë ky çmim iu dha shkrimtarit të njohur dhe simbolit të rezistencës kombëtare Adem Demaçit.

Autor: Fatos Rushiti

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA Analfabetë vendorë, “ekspertë” ndërkombëtarë: Është…