Poezitë më të vjetra të nënshkruara mbajnë emrin e një gruaje, Enheduana

30 tetor 2022 | 08:22

Nga: Diane Cole / BBC
Përkthimi (me shkurtime)

Ishte autorja e parë që i dihet emri në të gjithë historinë e regjistruar: poetja, princesha dhe priftëresha e Mesopotamisë – Enheduana.

U befasuat?

“Kur njerëzit pyesin se kush është autori i parë, ata nuk mendojnë për askënd në Mesopotami. Dhe, nuk është kurrë grua”, thotë Sidney Babcock, kurator i ekspozitës së hapur së fundmi në Bibliotekën Morgan të Nju-Jorkut: “Ajo që ka shkruar: Enheduanna dhe gratë e Mesopotamisë, c. 3400-2000 p.e.s”. Zakonisht, thotë ai, sugjerojnë një figurë nga Greqia e lashtë; nëse përmendin një autore femër, është Safo që jetoi mbi një mijë vjet më vonë, dhe vepra e së cilës ka mbijetuar më pak se ajo e Enheduanës.

Nëse nuk keni dëgjuar kurrë për të, nuk jeni të vetmit. Enheduana ishte krejtësisht e panjohur për modernitetin, derisa – në vitin 1927 – arkeologu Sir Leonard Woolley nuk gërmon objektet që mbajnë emrin e saj. Tashti e dimë se emri i saj në sumerisht do të thotë “Zbukurim i Qiellit” dhe si kryepriftëreshë e hyjnisë së Hënës, Nanna-Suen, krijoi 42 himne tempulli dhe tri poema më vete që, si “Epin e Gilgameshit” (nuk i atribuohet ndonjë autori me emër), studiuesit e konsiderojnë si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë letrare të Mesopotamisë.

Në lidhje me statusin e saj si figurë fetare dhe priftëreshë, Enheduana e shfrytëzoi pushtetin politik si vajza e Sargonit të Madh – figurë e cilësuar nga disa historianë si themelues i perandorisë së parë në botë. Në veçanti, ajo luajti rol thelbësor duke ndihmuar në lidhjen e rajonit verior të Mesopotamisë së Akadit, ku Sargoni u ngrit për herë të parë në pushtet, përpara se të vazhdonte të pushtonte qytet-shtetet sumere në jug. Ajo e bëri këtë duke ndihmuar në shkrirjen e besimeve dhe të ritualeve që ndërlidheshin me perëndeshën sumere Inanna, me ato të perëndeshës akadiane Ishtar, dhe duke i theksuar ato lidhje në himnet dhe poezitë e saj letrare dhe fetare, duke krijuar kështu një sistem të përbashkët besimesh në gjithë perandorinë. Secili prej himneve që Enheduana i shkroi për 42 tempuj në gjysmën jugore të Mesopotamisë, theksonin karakterin unik të perëndeshës mbrojtëse për besimtarët në ato qytete; pas vdekjes së saj, himnet për qindra vjet u kopjuan nga skribët nëpër tempuj.

Shkrimet e Enheduanës janë gdhendur në argjilë në stilin kuneiform

Shkrimet e Enheduanës shfaqen gjatë gjithë kohës – jo në dorëshkrimet që jemi mësuar t’i shohim në ekspozita, të themi të Jane Austenit ose Charlotte Brontesë, por në pllaka balte që kanë gjurmët në formë pykë dhe që njihen si kuneiforme. Në këtë fragment, nga poezia “Lartësia e Inanës”, ajo përshkruan procesin krijues:

“E krijova,
O zonjë e lartësuar, (këtë këngë) për ju.
Atë që ua lexova në mesnatë
Le ta përsërisë për ju këngëtarja në mesditë!”

Dhe, ajo pretendon autorësinë e saj në përfundim të Himneve të Tempullit, duke thënë:

“Përpiluesja e tabelës (është) Enheduana. Perëndi, atë që është krijuar (këtu) askush nuk e ka krijuar më parë.”

“Zëri që dëgjojmë në himne është i poetes së talentuar”, shkruan analistja jungiane dhe përkthyesja e Enheduanës, Betty De Shong Meador, në librin e saj të vitit 2009 “Princesha, priftëresha, poetja”. “E përshkruan me çiltërsi jetën e përditshme, kujdesin dhe natyrën e qenësishme të hyjnive dhe tempujve të tyre. E popullon gjithë kozmosin përreth me qenie aktive hyjnore, tërheqëse dhe të pakontrollueshme”.

Ato poezi mund të lënë të kuptohet zotërimi i fortë i matematikës nga Enheduana – ndoshta jo aq befasuese kur kujton se historianët origjinën e matematikës e gjurmojnë në Mesopotami, së bashku me zhvillimin e shkrimit kuneiform dhe sistemeve të tjera të hershme të shkrimit. Si shkrimi ashtu edhe numërimi u zhvilluan ndoshta nga nevoja për ekonomitë aktive bujqësore dhe të tekstileve të Mesopotamisë, ku sistemet u ndërthurën kur fermerët dhe tregtarët numëronin atë që prodhohej dhe regjistronin atë që shitej dhe tregtohej.

Pamje nga ceremonia e sakrifikimit, ku shfaqet Enheduana

Ekspozita, shpreson Babcock, do t’i sjellë Enheduanës një shikueshmëri më të madhe. E shohim të portretizuar në një disk kalciti, që daton afërsisht në vitin 2300 p.e.s., që u gërmua nga Woolley në vitin 1927. Skena e gdhendur e përshkruan Enheduanën me tri shoqëruese të veshura thjesht, duke mbajtur objekte rituale, të gjithat duke marshuar solemnisht në rresht jashtë një hapësire, në një tempull të ngjashëm me zigurat. Dallohet nga mbulesa delikate rrethore e kokës dhe rrobat e saj me nivele të shtruara. Fytyra e Enheduanës shfaqet në profil, ndërsa ajo ngre sytë nga Inana, perëndesha e dashurisë dhe e luftës. E mbajti pozicionin e saj për 40 vjet, deri në vdekje.

Përtej Enheduanës, rreth 90 objekte të shfaqura në ekspozitë (duke filluar nga pllakat e ndryshme kuneiforme, statujat e deri te pllakat e murit dhe një mori vulash në formë cilindri – së bashku me imazhet dhe gjurmët e lëna kur ato u rrotulluan në një pllakë balte ose guri ) nxjerrin në pah mënyrat e shumta në të cilat gratë morën pjesë gjithnjë e më shumë në aspektet e ndryshme të shoqërisë mesopotame. Duke treguar ngjashmërinë më të madhe me gratë në mijëvjeçarin e tretë, “doja të vendosja një skenë për Enheduanën”, thotë Babcock, duke shtuar se si shoqëria mesopotame në atë epokë ishte më pak patriarkale se kudo tjetër. Në Mesopotami në atë kohë gratë mund të zotëronin prona dhe ajo mund të trashëgohej përmes linjës femërore.
Kjo periudhë, duke filluar rreth vitit 3400 p.e.s., pa rritje të madhe në qendrat urbane të Mesopotamisë dhe një zgjerim të vazhdueshëm në prodhimin dhe tregtimin e mallrave në gjithë vendin dhe në rajon. Rritja e kërkesave të biznesit nënkuptonte nevojën për më shumë punëtorë – shumë prej të cilëve ishin gra. Duke shkuar përtej roleve tradicionale në shtëpi ose duke marrë përsipër detyrat fetare, këto gra morën role në një gamë të gjerë zanatesh, përfshirë qeramikën, thurjen, pjekjen, blegtorinë, prodhimin e birrës dhe artizanatet. Një imazh i ekspozuar kap një grup grash në tezgjah, duke endur, me një figurë në lëvizje të plotë, me flokët që i fluturojnë prapa. Një tjetër shfaq gratë në atë që duket si një rrotë qeramike; në të tjerat, gratë ulen dhe darkojnë me burrat, me sa duket si të barabarta. Ato shihen gjithashtu duke luajtur në instrumentet muzikore, në grupe ose solo, siç përshkruhet në një zbukurim guaske në të cilën një grua mban një flaut në gojë dhe shirita delikatë të mbështjellë rreth flokëve të saj kaçurrelë.

Dhe, ky është vetëm një shembull për atë që mund të shihet si shfaqje mode që nxjerr në pah stilet e flokëve dhe të veshjeve që ndryshojnë dhe që pëlqehen nga gratë e Mesopotamisë.

Me mbretërimin e Sargonit dhe përmes himneve të Eneheduanës, nis të përshkruhet një hyjneshë më e ngjashme me luftën: Ishtar. Në poezitë e saj, Enheduana e portretizon në mënyrë të ngjashme Inanan/Ishtarin – si perëndeshë e fuqishme e luftimit dhe pushtimit, si dhe e dashurisë dhe bollëkut.

Një tekst e paraqet Inanan kundër armikut të saj, një varg malesh që refuzojnë të përkulen ose t’i dorëzohen. Shohim perëndeshën, të armatosur me thikë dhe sëpatë, duke bërë që gurët e malit të bien poshtë dhe ta vrasin perëndinë mashkull të malit. “Ajo i mprehu të dy skajet e kamës së saj. E kapi qafën e Ebihut sikur të griste bar. E futi tehun në zemër të tij” dhe “bërtiti si bubullimë” kështu që “gurët që përbëjnë Ebihun u rrëzuan teposhtë”. Më pas ajo feston pushtimin duke vendosur triumfalisht këmbën mbi gurët e rënë. “Kjo është hera e parë që kemi ilustrime për një tekst”, komenton Babcock – e para gjë po ashtu nga trashëgimia letrare të Enheduanës.

Kjo është një mënyrë tjetër për të thënë se Enheduana jo vetëm që shkroi, por ia doli në shumë fusha: si figurë domethënëse në Sumerinë e lashtë, në historinë e grave dhe të feminizmit dhe jo më pak – në letërsi. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Aziz Nesin Përktheu nga turqishtja: Fatijona Bajraj Në fushën…