
Policët e arrestuar për rastin e 27-vjeçarit përballen me dyshimet për vrasje nga pakujdesia
Seanca dëgjimore në degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në Lipjan, ndaj policëve të dyshuar për rastin e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, akoma s’ka përfunduar. Gjyqtari i procedurës paraprake pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorit të Shtetit, nëse do t’i çojë në paraburgim zyrtarët policorë, apo do të caktojë një masë alternative.
Në seancë, nuk u lejua të merrte pjesë avokati i familjes e as mediat.
Pamjet e disa prej policëve të prangosur tashmë janë publikuar dhe të njëjtit sot përballen me dyshimet fillestare për vrasje nga pakujdesia. Emrat e të arrestuarve janë Ibrahim Nela, rreshter në Stacionin Policor Lipjan, Liridon Rrahmani, Artidon Konxheli dhe Albian Raktoceri, zyrtarë policorë të këtij stacioni, si dhe Endrit Beqiri, zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj.
Nëse do të hetohen për këtë vepër, si e parasheh dënimin Kodi Penal i Republikës së Kosovës? Sipas nenit 175, kushdo që e privon nga jeta personin tjetër nga pakujdesia, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.
Si parashihet përgjegjësia penale?
Kryesi i veprës penale është penalisht përgjegjës nëse është mendërisht i aftë dhe veprën penale e ka kryer me dashje apo nga pakujdesia, ndërsa dijenia, dashja, pakujdesia ose qëllimi i kërkuar si element i veprës penale mund të nxirret nga rrethanat faktike. Sipas Kodit, vepra penale mund të kryhet me pakujdesi të vetëdijshme apo të pavetëdijshme.
“Personi vepron me pakujdesi të vetëdijshme kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose të mosveprimit të tij, por me mendjelehtësi mendon se ajo nuk do të shkaktohet apo se ai do të mund ta parandalojë shkaktimin e saj.
Personi vepron me pakujdesi të pavetëdijshme kur nuk është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose mosveprimit të tij edhe pse në rrethanat dhe sipas vetive të tij personale ka mund të ishte apo do duhej të ishte i vetëdijshëm për këtë mundësi.” – thuhet në nenin 23.