
Policia apelon për kujdes të shtuar në përdorimin e rrjeteve sociale nga të rinjtë
Policia e Kosovës është e fokusuar në mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve andaj apelon për kujdes të shtuar në përdorimin e rrjeteve sociale, sidomos platformës
TikTok, e cila kohët e fundit ka shpërndarë sfida që paraqesin rreziqe për shëndetin dhe sigurinë e të rinjve.
“Kjo sfidë është një nxitje për të realizuar veprime përmes lojërave që mund të shkaktojnë lëndime dhe dëmtime të ndryshme. Policia e Kosovës, kërkon mbështetjen e prindërve dhe komunitetit për të ndërgjegjësuar fëmijët dhe adoleshentët për rreziqet që mund të sjellë angazhimi i pjesëmarrjes në këto sfida”.
“Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm mbi përdorimin e rrjeteve të ndryshme sociale nga fëmijët e tyre dhe t’i ndihmojnë ata në identifikimin dhe ofrimin e ndihmës për shmangien e përfshirjes se tyre në lojërat e dëmshme dhe të rrezikshme. Policia e Kosovës është e angazhuar në mbështetje të komunitetit dhe të rinjve për një përdorim të sigurt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve sociale, dhe i bën thirrje çdo prindi dhe mësuesi të jetë i vëmendshëm dhe të inkurajojë përdorimin e teknologjisë për qëllime pozitive dhe edukative. ‘Super heronjtë nuk janë të vërtet kujdesuni për veten dhe shokët tuaj. Mos u bëni pjesë e lojës që rrezikon jetën’”, ka njoftuar policia.