
Policia arreston disa persona në Prishtinë, sekuestron drogë dhe para
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar operacionin “Dritarja” në kryeqytet.
Në njoftim thuhet se hetuesit policorë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Prishtinë, gjatë realizimit të detyrave operativo-hetimore, kanë arritur të mbledhin informata rreth përfshirjes së disa të dyshuarve në trafikim me lëndë narkotike.
Të dyshuarit veprimtarinë e tyre dyshohej se po e zhvillonin në Prishtinë, andaj policia ka bërë kërkesë për aplikim të masave të veçanta të hetimit ndaj të dyshuarve, të cilat masa janë aprovuar nga organet e drejtësisë.
“Kështu, dje me 30.04.2025, rreth mesditës, ka filluar operacioni policor ‘Dritarja’ në kapje të të dyshuarve. Fillimisht është arrestuar i dyshuari A.A., (viti i lindjes 1983, mashkull kosovar), të cilit i janë gjetur 0.44 gr substancë që dyshohet të jetë kokainë. Pastaj, hetuesit e DHTN-së, të mbështetur nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, kanë kryer kontrolle në një shtëpi, ku janë gjetur dhe sekuestruar provat: rreth 56.9 gr substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë, para (euro dhe valuta të shteteve të ndryshme) dhe dëshmi tjera që do të përdorën në procedurë të mëtejme gjyqësore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje, theksohet se Policia ka kryer kontrolle edhe në një shtëpi tjetër, ku janë gjetur edhe 10.8 gr substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë, dy peshore, nëntë fishekë etj.
Gjatë operacionit policor janë arrestuar, pos të dyshuarit të lartcekur edhe: K.A., (viti i lindjes 200, mashkull kosovar) dhe S.S., (viti i lindjes 1971, mashkull kosovar), po ashtu policia ka njohuri edhe për një të dyshuar tjetër që është në arrati.
Pas intervistimit, dy nga të dyshuarit (K.A. dhe S.S.), me aktvendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.