
Policia dhe Inspektorati në veprim të përbashkët për rendin dhe qetësinë publike në kryeqytet
Policia e Kosovës Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit, në bashkëpunim me inspektorët e kryeqytetit, përgjatë vikendit që lamë pas, ka realizuar një operacion të përbashkët inspektues në disa lokale të kryeqytetit, si përgjigje ndaj ankesave të qytetarëve për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Gjatë këtij operacioni, janë shqiptuar gjobat përkatëse ndaj lokaleve që kanë shkelur rregullat e përcaktuara, përfshirë ato që lidhen me zhurmën e lejuar dhe mosrespektimin e qetësisë publike.
Në disa prej rasteve ku, përkundër vërejtjeve që u janë dhënë, subjekte të caktuara kanë ripërsëritur veprimin e njëjte, u janë sekuestruar pajisjet me të cilat kanë shkaktuar zhurmën dhe janë përdorur në kundërshtim me ligjin.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve për siguri, rend dhe qetësi publike. Operacione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së interesit publik dhe respektimit të ligjit, ndërkaq ftojmë të gjitha subjektet që të respektojnë rregulloret ligjore ashtu që të mos cenojnë sigurinë apo qetësinë publike”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.