Policia e Kosovës apelon për kujdes të shtuar në trafik shkaku i reshjeve të shiut
Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti për drejtuesit e automjeteve, për shkak të ndryshimit të kushteve atmosferike dhe reshjeve të shiut që po ndikojnë në sigurinë rrugore.
Sipas njoftimit, rrugët e lagështa nga shiu rrisin rrezikun e rrëshqitjeve dhe vështirësojnë qarkullimin, duke shtuar mundësinë e aksidenteve në trafik.
Për këtë arsye, Policia u ka bërë apel shoferëve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë ngasjes.
Autoritetet kërkojnë që drejtuesit e mjeteve të përshtatin shpejtësinë me kushtet aktuale të rrugës dhe motit, të mbajnë distancën e nevojshme të sigurisë ndërmjet automjeteve dhe të ngadalësojnë lëvizjen në segmentet e lagështa, ku rreziku për humbje të kontrollit është më i madh.
“Siguria juaj është prioritet”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës, duke theksuar se kujdesi i shtuar gjatë këtyre kushteve ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe në ruajtjen e jetës së pjesëmarrësve në trafik.



