Policia e Kosovës arreston dy të dyshuar për narkotikë në Prizren
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale të trafikimit me narkotikë, në kuadër të operacionit të koduar “Stop Drogave 2026”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi është realizuar nga njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, pas pranimit të informatave operative për aktivitet të dyshimtë në rajonin e Prizrenit.
“Pas veprimeve operative, është arritur që të lokalizohen dhe arrestohen personat e dyshuar”, thuhet në komunikatë.
Në konsultim me prokurorin kujdestar, është realizuar kontroll në dy lokacione, ku janë sekuestruar substanca narkotike dhe prova materiale.
“Janë gjetur dhe konfiskuar njëmbëdhjetë (11) qese me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë 20.21 gram, dy (2) qese plastike me mbetje të kokainës, të holla kesh në total 1,785 euro dhe 2,000 lekë, si dhe dy telefona mobil”, thuhet më tej.
Dy të dyshuarit janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe veprave të tjera kriminale.
“Policia e Kosovës mbetet e angazhuar seriozisht në luftën kundër abuzimit dhe shpërndarjes së narkotikëve dhe është e përkushtuar në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët”, përfundon njoftimi.



