
Policia e Kosovës arreston dy të dyshuar për trafikim me emigrantë
Dy burra janë arrestuar të dielën nën dyshimin për trafikim me emigrantë, njoftoi Policia e Kosovës të hënën.
Policia tha se ka ndaluar një autobus të linjës Mitrovicë–Beograd në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë, i cili po bartte 18 emigrantë të paligjshëm nga vende të Azisë Jugore dhe Afrikës.
“Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, është konstatuar se në katin e parë të autobusit ndodheshin 8 udhëtarë të rregullt të regjistruar në listën zyrtare, ndërsa në katin e dytë u gjetën 18 shtetas të huaj, të paregjistruar dhe pa të drejtë hyrjeje apo kalimi në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Policia theksoi se hetimet e para dhe marrja në pyetje e të dyshuarve tregojnë se ka pasur “përpjekje të qëllimshme për kontrabandë me emigrantë”.
Ajo tha se ka arrestuar pronarin e kompanisë së autobusëve dhe shoferin e autobusit që po bartte emigrantët.
Të dyshuarit, të identifikuar vetëm me inicialet G. A., dhe B. D., dyshohen për përfshirje të drejtpërdrejtë në organizimin e transportit të emigrantëve në mënyrë të paligjshme.
Sipas njoftimit, pesë shtetas palestinezë kishin hyrë në Kosovë me pasaporta jordaneze përmes Aeroportit të Prishtinës më 23 gusht; gjashtë shtetas nga Bangladeshi posedonin viza pune, por ishin subjekt i vendimeve për largim nga Kosova; dhe shtatë shtetas egjiptianë kishin hyrë në Kosovë përmes Shqipërisë dhe synonin kalimin në Serbi dhe më tej drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Te dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe janë dërguar në mbajtje.
Policia theksoi se emigrantët “janë trajtuar sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e Policisë së Kosovës”, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Muajin e kaluar Prokuroria Themelore në Prizren ngriti aktakuzë kundër një burri për veprën penale kontrabandë me emigrantë.
Sipas rregullave në Kosovë, një emigrant mund të qëndrojë në vend vetëm 15 ditë, pa u lajmëruar tek autoritetet e rendit.
Pas 15 ditësh, ai duhet të aplikojë për statusin e azilkërkuesit – në të kundërtën duhet të largohet nga territori i Kosovës. Për ta fituar statusin e azilit, duhen disa muaj kohë.
Prej vitit 2015, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shndërruar në qendër transiti për personat që ikin nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe që synojnë të arrijnë në shtetet e Bashkimit Evropian.
Kosova ka qendra për pranimin e emigrantëve, por shumica e tyre e përdorin këtë shtet vetëm si transit për në BE.
Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuar për trafikim me emigrantë.