Policia e Kosovës gjen armë, municion dhe pajisje ushtarake në Leposaviq
Në Drejtorinë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, përkatësisht në Stacionin Policor Leposaviq, më 19 dhe 20 dhjetor janë iniciuar dy raste për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
“Me datë 19.12.2025, rreth orës 22:07, zyrtarë policorë nga Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH), gjatë patrullimit në fshatin Rvatska, Komuna e Leposaviqit, në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe sekuestruar: një armë gjuetie, një karabinë, një armë të llojit AK-47, 240 fishekë, një palë dylbi. Si rrjedhojë e procedurave hetimore, më datë 22.12.2025, zyrtarët policorë në objektet përcjellëse të shtëpisë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe: një pushkë ajrore, mekanizëm për barut, një thikë ushtarake, një frotroll për revole. Lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit penal për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’. Aktualisht nuk ka persona të arrestuar dhe rasti është në procedurë hetimore”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Ndërkaq në rastin e dytë, më 20 dhjetor rreth orës 06:45, Policia ka arrestuar personin R.R. (1965), pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në fshatin Veacev, Komuna e Leposaviqit, janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmë automatike, një bombë dore, dy tromblona, fishekë të kalibrave të ndryshëm, pajisje të ndryshme ushtarake (çantë, xhaketë, thikë, etj).
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas inicimit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e posedimit të armëve të zjarrit, duke vepruar në funksion të ruajtjes së rendit, paqes dhe sigurisë së përgjithshme për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka njoftuar Policia e Kosovës.



