Policia e Kosovës po plaket

23 janar 2018 | 12:21

Mosha mesatare e policëve të Kosovës ka arritur mbi 44 vjeç, gjë që, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, konsiderohet e vjetër për kryerjen e punëve operative.

Projektligji për Policinë parasheh pensionimin në moshën 55 vjeçare dhe pensionin invalidor, por drafti ende nuk është proceduar në Kuvend për miratim, për shkak të ankesave për mungesë buxheti.

Me një moshë mesatare prej 44,61 vjeçare, Policia e Kosovës, nga njohësit e çështjeve të sigurisë, po konsiderohet si policia më e plakur në Ballkan.

Sindikata e Policisë ka kërkuar që Ligji për Policinë të përfshijë pensionimin e pjesëtarëve policorë në moshën 55 vjeçare me 60 për qind të pagës bruto si dhe pensionimin invalidor.

Por, drafti nuk po procedohet në Kuvend për miratim për shkak të, siç është thënë publikisht nga institucionet përgjegjëse, kostos së lartë buxhetore. Shaban Tasholli, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka thënë për “Radio Kosovën” se aktualisht janë 1500 deri në 2000 pjesëtarë të policisë që duhet të pensionohen menjëherë.

“FMN i ka dhënë kritikat e veta, mandej edhe ministri i Financave thotë se është buxhet bukur i ngritur, ka pasur edhe biseda që mos të është 60 për qind. Ne si sindikatë kemi thënë 60 për qind apo si është në FSK, asgjë nuk kemi kërkuar më shumë, dhe prapë qëndrojmë prapa saj. Sindikata e Policisë e përkrah pensionin në moshën 55 vjeçare siç e ka FSK-ja”, deklaroi Tasholli.

Sipas njohësve të çështjeve të Sigurisë në Kosovë, mosha mesatare mbi 44 vjeç e policëve është e vjetër për të kryer punë operative. Plator Avdiu, nga Qendra për Studime të Sigurisë në Kosovë, deklaroi se kjo moshë është shumë e vjetër, duke e pasur parasysh që këta zyrtarë duhet të përballen me turma dhe situata të ndryshme në terren.

“Mosha do të duhej të jetë më e re e policëve të Kosovës, do të duhej të sillej prej 25 deri në 32 vjet, për arsye se kryerja e detyrave operative të policisë kërkojnë një vullnet më të madh të zyrtarëve policorë”, theksoi Avdiu.

Sa i përket mungesës së buxhetit për përmirësimin e kësaj gjendje, Avdiu ka thënë se kjo duhet t’i shqetësojë institucionet shtetërore.

“Ky është një alarm për institucionet tona të sigurisë, për Ministrinë e Brendshme dhe për qeverinë që t’i ndërmarrin hapat e menjëhershëm, në mënyrë që të ruhet kohezioni që duhet të ekzistojë brenda Policisë së Kosovës për të vazhduar me pensionimin e parakohshëm”, ka thënë Avdiu.

Në një përgjigje përmes email-it, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës ka deklaruar se është shqetësues fakti se nuk po procedohet në Kuvend projektligji që rregullon çështjen e moshës së pranimit dhe pensionimit të pjesëtarëve të policisë.

Megjithatë, ky institucion nuk ka deklaruar nëse do të ketë së shpejti konkurs për pranimin e kadetëve të rinj. Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë dhënë përgjigje rreth kësaj çështjeje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu, ka…