Policia e Kosovës pranon donacion nga UNDP-ja

09 shtator 2025 | 14:04

Policia e Kosovës ka pranuar të martën një donacion nga Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Lajmi është bërë me dije pas takimit të drejtorit të përgjithshëm të policisë, Gazmend Hoxhës me zëvendësdrejtorin e UNDP-së, Dudley Tarlton.

Gjatë takimit, është bërë pranim-dorëzimi i donacionit, i cili synon përforcimin e kapaciteteve për sigurinë publike dhe kontrollin kufitar.

“Më këtë rast, kolonel Hoxha shprehu falënderimin ndaj UNDP-së, pasi që përmes këtij donacion për herë të parë në Policinë e Kosovës është zhvilluar dhe funksionalizuar platforma ‘e-Learning’ (mësimi virtual), ku policia ka përfituar edhe trajnime të dedikuara për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e trajnimeve të reja në këtë platformë.  Po ashtu në këtë ceremoni të pranim-dorëzimit policia ka pranuar softuerë/licenca të avancuara ‘iBase’ dhe ‘Analyst Notebook’, të cilët mundësojnë mbledhjen dhe analizimin e informatave mbi rastet që lidhen me armë zjarri, municion dhe eksplozivë dhe që edhe më tutje do të ngritin efikasitetin e Pikës Kryesore të Armëve (FFP)”,  ka njoftuar policia.

Më tutje është bërë me dije se përveç kësaj, 25 skanerë dore do të përdoren për kontrolle më efikase në pikat kufitare, vijën e gjelbër dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke rritur kapacitetin operacional dhe sigurinë e qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe ish-presidenti i…