Policia e Kosovës shënon 26-vjetorin, Svelça: Një partner i besueshëm për gjeneratat e reja

05 shtator 2025 | 11:09

Policia e Kosovës ka shënuar 26-vjetorin e themelimit përmes një sërë aktivitetesh të organizuara në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Në këtë ngjarje morën pjesë zyrtarë të lartë dhe nxënës të shkollave fillore, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, uroi përvjetorin dhe theksoi përkushtimin e Policisë për t’u shërbyer qytetarëve, veçanërisht fëmijëve.

Ai theksoi se Policia është një partner i besueshëm për gjeneratat e reja.

“Ku ka më mirë se ditëlindjen ta festojmë me fëmijë, ditëlindjen e institucionit që është për nga mosha i pjekur, i cili këtë pjekuri duhet ta vë në dispozicion të qytetarëve, posaçërisht të fëmijëve tanë. Rruga jonë do të kalojë nëpër sfida, do t’ju hedhë në brigje të ndryshme, disa do të bëheni policë, mësues, mjekë dhe në fusha të ndryshme. Do të keni një partner të besueshëm në këtë rrugë, ajo është Policia e Kosovës, jo vetëm që ka obligim të përgjigjet në çdo moment por e ka dhe për detyrë që atë ta bëjë me dashurinë më të madhe”, ka thënë Sveçla.

Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, theksoi se Policia mbetet institucioni më i besuar në vend, duke përkujtuar 26 heronjtë e rënë në mbrojtje të sigurisë dhe integritetit të vendit.

Ai inkurajoi të rinjtë që të mësojnë dhe të shohin Policinë si një derë gjithmonë të hapur.

“Në këto 26 vite ne i kemi dhënë 26 heronj në luftë kundër krimit dhe integritetit territorial të Republikës. Është një institucion i besueshëm i vendit tonë, policët tanë i kanë shërbyer vendit për gjatë 26 viteve. Ne vazhdojmë të punojmë që këtë përkushtim ta çojmë edhe më tutje, të vazhdojmë dhe të avancohemi edhe më tutje në aspektin profesional. Porosia për fëmijët: vazhdoni të mësoni, dyert e Policisë do të jenë të hapura”, tha Hoxha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me drejtorin Afrim…