Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më herët se Vukashinoviq u sulmua sepse kundërshtonte “politikat e regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.
Pas njoftimit për rrëmbimin e dyshuar, Radio Evropa e Lirë duke përdorur mjete forenzike për identifikimin e fytyrës, ka vërtetuar se Vukashinoviq është i njëjti person që më 28 qershor të këtij viti kishte folur publikisht për presionet që kishte pasur, në një intervistë me gazetarin dhe ish-deputetin serb Nemanja Sharoviq, për televizionin KTV nga Serbia.
Gjatë asaj interviste, ai kishte deklaruar se serbët ishin detyruar të largoheshin nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022 nën presionin e Listës Serbe, dhe se edhe ai vetë kishte qenë viktimë e presioneve, duke shtuar se nuk ndihej i sigurt të udhëtonte në Serbi sepse kishte refuzuar të jepte dorëheqje.
“Kanë shpifur për shumë gjëra, më kanë lidhur me shqiptarët, nuk jam i sigurt të udhëtoj në Serbi. Jam këtu në Kosovë, e anashkaloj Serbinë”, kishte thënë ai. /REL



