Policia i shkon në ndihmë viktimës së dhunës në familje, sulmohet nga familjarët

19 janar 2026 | 20:06

Më datë 19.01.2026, rreth orës 02:12, në fshatin Poslishtë, Prizren një grua ka kërkuar ndihmën e policisë pasi ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Menjëherë pas mbërritjes në vendngjarje, patrullat policore janë përballur me një situatë të rëndë, ku bashkëshorti i viktimës, vëllai dhe babai i tij kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe kanë tentuar të sulmojnë përsëri viktimën.

Gjatë konfrontimit, policia është sulmuar fizikisht dhe me gurë, ndërsa viktima është kërcënuar dhe rrezikuar seriozisht. Për të parandaluar sulmin dhe për të mbrojtur jetën e viktimës, policët kanë ndërhyrë me forcë, duke arritur ta vendosin situatën nën kontroll.

Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në stacionin policor. Gjatë përleshjes, disa policë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Hetimet rajonale janë njoftuar dhe po e trajtojnë rastin.

Ekipi i kujdestarisë nga Sektori Rajonal i Hetimeve të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren është angazhuar në rast. Të dyshuarit kanë shfrytëzuar të drejtën e heshtjes gjatë deklarimeve. Njëri prej tyre ka marrë ndihmë mjekësore për lëndime të pësuara gjatë arrestimit. Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Përgjithshme ka lëshuar aktvendim për ndalim 48 orë për tre të dyshuarit.

Ky është një rast ku shihet se me çfarë sfidash ballafaqohet policia në rastet e dhunës në familje, megjithatë, policia fuqishëm mbetet e përkushtuar në mbrojtje të viktimave pa dallim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas padisë së…