Policia identifikon një të dyshuar të përfshirë në grabitjet e fundit, kërkon ndihmë për ta gjetur

19 dhjetor 2020 | 19:01

Policia e Kosovës ka identifikuar një prej të dyshuarve që thotë të ketë marrë pjesë në grabitjet e fundit të raportuara nga disa banka.

Policia thotë se ai është në arrati prandaj kërkon ndihmën e qytetarëve për të gjetur vendndodhjen e tij.

Sipas policisë, emri i tij është Riad Sopjani dhe është 19-vjeçar.

“Referuar rasteve të fundit të grabitjeve, Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, ka ndërmarrë të gjitha masat policore në drejtim të hetimit, identifikimit, marrjes e përpunimit të informacioneve të rëndësishme dhe ka realizuar operacione të bastisjeve e të kërkimit për grupe dhe individë të veçantë të përfshinë në këto raste. Së këndejmi veprimet e lartcekura policore kanë rezultuar me identifikimin e të dyshuarit Riad Sopjani, 19 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin dyshohet me bazë të jetë përfshirë në kryerjen e grabitjeve që po hetohen nga ana e policisë”, thuhet në raportin e policisë.

Policia tutje thotë se i dyshuari aktualisht është në arrati, ndërsa është shpallur në kërkim nga ana e policisë. “Andaj inkurajojmë të gjithë ata që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e tij, apo çfarëdolloj informacioni tjetër që do t’i kontribuonte kapjes së tij, t’ia kalojnë ato policisë përmes linjës 192, apo në çfarëdo forme tjetër”, thuhet në njoftimin e PK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja e njohur Eva Herzigova ka rezultuar pozitive në testin…