Policia inicion rast penal pas kërcënimit ndaj presidentes Osmani

20 maj 2025 | 17:09

Policia e Kosovës të martën ka njoftuar se ka iniciuar rast penal ndaj Vjosa Osmanit pas kërcënimit që ka marrë në adresën e Presidencës ditë më parë.

“Policia e Kosovës ditë më parë ka pranuar informacionin që ju i referoheni, sipas procedurave është njoftuar Prokurori i shtetit dhe është iniciuar rast penal”, është thënë në përgjigjen e policisë për “Express”.

Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, të hënën (dje) pati bërë me dije se Osmani ishte kërcënuar me jetë ditë më parë përmes një emaili anonim.

Ai pati kritikuar institucionet e drejtësisë për mosveprim. Ai ka thënë se janë bërë dhjetëra kërcënime, madje në shumë raste me emër e mbiemër, por s’ka pasur masa.

Ndërsa Zotëriu i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se kërcënimet nuk janë të rastësishme dhe të izoluara, por të vazhdueshme, të qarta dhe specifike.

Sadriu ka shtuar se përveç kërcënimeve, janë shfaqur edhe shpifje të fabrikuara, të cilat kanë për qëllim të nxisin urrejtje dhe të krijojnë një klimë ku dhuna perceptohet si e justifikuar.

Ai ka kritikuar edhe institucionet kompetente se s’është marrë asnjë veprim dhe asnjë përgjegjësi.

“Sepse askush nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. Asnjë veprim. Asnjë përgjegjësi. Dhe kur institucionet përkatëse heshtin, dhuna natyrshëm që flet. Kur institucionet përgjegjëse nuk mbrojnë, kërcënuesit ndihen të sigurt. Sot është Presidentja. Nesër dikush tjetër? Rreziku është i qartë. Heshtja është bashkëfajësi. Koha për veprim ka kaluar qëmoti”, ka shkruar Sadriu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka rikthyer postimin e ish-presidenti…