
Policia me fushatë vetëdijësuese “Duart në timon, jo në telefon”
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka nisur projektin fushatë vetëdijësuese “Duart në timon, jo në telefon”, e cila do të zbatohet nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, në bashkëpunim me stacionet policore vartëse të Drejtorisë Rajonale në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Han të Elezit, si dhe me mbështetjen e OJQ-së “Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt”.
Kjo fushatë është konceptuar dhe hartuar nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e DRP-Ferizaj, me qëllim që të përcillet një mesazh i qartë dhe sensibilizues për të gjithë pjesëmarrësit në trafik: “Një sekondë në telefon mund të jetë shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon”.
Në kuadër të fushatës, do të zhvillohen aktivitete të ndryshme, si: shpërndarja e fletëpalosjeve informuese; vendosja e posterëve në rrugë dhe sheshe publike; mbajtja e ligjëratave vetëdijësuese në shkollat e rajonit të Ferizajt.
Faza e parë e projektit do të ketë karakter parandalues dhe edukativ dhe do të zgjasë deri më 12 tetor 2025. Ndërsa, nga data 13 tetor 2025, policia do të fillojë zbatimin e masave ndëshkuese ndaj të gjithë atyre që nuk respektojnë ligjin e trafikut dhe rrezikojnë sigurinë rrugore.