
Policia në Fushë-Kosovë dhe Malishevë arrestn dy persona për përhapje të ideologjisë terroriste
Policia e Kosovës mëngjesin e sotëm ka realizuar një operacion të suksesshëm në Fushë Kosovë e Malishevë, ku janë arrestuar dy persona.
Të arrestuarit dyshohen për shpërndarje të propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste përmes rrjeteve sociale.
“Pas një pune operative-hetimore nga zyrtarët e Drejtorisë Kundër Terrorizmit të Policisë së Republikës së Kosovës, në koordinim me prokurorin kompetent të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), sot në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion i suksesshëm policor.
Operacioni policor ka përfshirë dy (2) raste të ndara, që kanë rezultuar me tri (3) kontrolle të vendbanimeve në Fushë Kosovë dhe Malishevë, si dhe dy (2) arrestime të personave të dyshuar, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në ‘nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’ dhe ‘shpërndarje e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste’, duke përdorur rrjetet sociale”, ka njoftuar policia.
Policia bënë të ditur se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.