Policia në Shtime arreston të dyshuarin e shumëkërkuar për disa vepra penale
Policia e stacionit në Shtime ka arrestuar personin e kërkuar E.M., (32 vjeç), i dyshuar për kanosje dhe i shpallur në kërkim për disa raste penale.
Reagimi i policisë erdhi pas një ankese të paraqitur nga një qytetar, ku u raportua se i dyshuari e kishte kanosur atë, njofton policia.
Rreth orës 13:30, policia mori informatë se i dyshuari, së bashku me një të afërm ishte paraqitur në shtëpinë e ankuesit.
“Gjatë tentimit për tu larguar me një veturë të tipit “Pick-up”, E.M. kishte shfaqur një armë zjarri (pistoletë) dhe është arratisur drejt zonës malore të fshatit Zborc.
Fillimisht policia ka arrestuar M.M. (43 vjeç), i cili dyshohet se e ka ndihmuar të dyshuarin gjatë arratisjes.
Më pas, me vendosjen e njësive policore në zona strategjike në fshatin Carralevë është lokalizuar dhe arrestuar edhe i dyshuari kryesor, pa u rrezikuar pjesëtarët e policisë.
Gjatë kontrollit tek E.M. është gjetur dhe është sekuestruar një armë zjarri me disa fishekë”, vijon njoftimi.
Sipas policisë, i dyshuari ka qenë në kërkim për:
– Posedim të narkotikëve nga Gjykata Themelore në Prishtinë,
– Lëndim të rëndë trupor nga Gjykata Themelore në Ferizaj,
– Vrasje të mbetur në tentativë, rast i hapur nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj.
“Ndërsa ndaj të dyshuarit M.M është iniciuar rasti “Ofrimi i ndihmës pas kryrje së vepres penale”.
Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij, të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore”, përfundon njoftimi.



