
Policia pajiset me radar mobile, vetëm gjatë një pike kontrolli në Prizren shqipton 13 gjoba
Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor (NJRTRR) në Prizren, është pajisur me një automjet të ri me radar mobil, si pjesë e përpjekjeve për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e kundërvajtjeve rrugore.
“Më datë 20.08.2025, nga ora 09:00 deri në 10:15, patrulla policore e NJRTRR Prizren ka organizuar një pikë kontrolli me veturë të pajisur me radar mobil në rrugën Prizren – Prevallë. Gjatë këtij operacioni janë shqiptuar gjithsej 13 fletëparaqitje për kundërvajtje, si vijon: 8 fletëparaqitje për tejkalim në vijë të plotë, prej të cilave 5 automjete me targa të huaja; 5 fletëparaqitje për tejkalim të shpejtësisë së lejuar në zonën e kufizuar me 30 km/h”, ka njoftuar Policia e Kosovës, duke shtuar se të gjitha kundërvajtjet janë video-incizuara nga radari mobil, duke shërbyer si dëshmi të pakontestueshme për shkeljet e evidentuara. “Policia e Kosovës apelon për respektim të rregullave të komunikacionit dhe njofton se kontrollet me radar mobil do të vazhdojnë në mënyrë të rregullt në zonat me rrezikshmëri të lartë”, ka njoftuar policia.