
Policia përmbyll operacionin policor kundër aktiviteteve të jashtëligjshme në rajonin e Prishtinës
Drejtoria rajonale e policisë së Prishtinës, ka realizuar me sukses një operacion të gjerë policor në funksion të luftimit të veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe lojërave të fatit-bixhozit të jashtëligjshëm.
Operacioni është zhvilluar në vazhdimësi që nga data 25 prill 2025, pas pranimit të informatave të besueshme për zhvillimin e aktiviteteve të tilla të kundërligjshme në disa lokacione të Rajonit të Prishtinës.
Operacioni ka rezultuar tejet i suksesshëm, me ç’rast janë inspektuar me sistem monitorimi, 75 lokacione të ndryshme, përfshirë këtu, shtëpi, lokale afariste dhe objekte përcjellëse.
Në 25 prej tyre janë ndërmarrë kontrolle të detajuara. Shtatë lokale janë mbyllur nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe inspektoratet komunal për mungesë të dokumentacionit përkatës ose licencave.
Gjithashtu janë iniciuar 10 raste penale, janë evidentuar shënime zyrtare dhe raporte operative që lidhen me vepra penale të ndryshme, si organizim i lojërave të fatit, posedim i paautorizuar i substancave narkotike, armëmbajtje pa leje, kultivim, përpunim dhe shitje e substancave narkotike.
Janë arrestuar 14 persona, të dyshuar për përfshirje direkte në këto aktivitete të paligjshme. Nga ta, 7 janë ndaluar me masë mbajtjeje prej 48 orësh, ndërsa 7 të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Përgjatë operacionit janë sekuestruar në cilësi të provave të rëndësishme edhe 13 aparate për lojëra të fatit; 1 armë automatike AK-47, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe 1 boks metalik; Pajisje laboratorike për përpunimin e substancave narkotike, përfshirë një sasi të dyshuar narkotikësh në qese plastike; 2726 euro para të gatshme; 2 laptopë, 1 printer, një çantë me çipa dhe 15 palë letra bixhozi, si dhe, 3 telefona mobil, të dyshuar se janë përdorur për pagesa online në bastore sportive.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe e palëkundur në angazhimin e saj për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të jashtëligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike. Ky operacion dëshmon edhe njëherë profesionalizmin, bashkëpunimin institucional dhe përkushtimin e zyrtarëve policorë në mbrojtje të ligjshmërisë dhe interesit të qytetarëve.