Policia Rajonale e Ferizajt apelon për kujdes të shtuar në trafik
Për shkak të reshjeve të shiut që kanë përfshirë rajonin, Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë shoferët e automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes, veçanërisht në rrugët rajonale dhe ato malore.
Kushtet e motit me shi po ndikojnë në krijimin e rrugëve të lagështa, zvogëlimin e dukshmërisë dhe shtimin e rrezikut për aksidente trafiku.
Përveç kësaj, në disa zona malore mund të ketë shembje gurësh, rrëshqitje dhe pengesa të tjera në rrugë, sidomos në akset Shtërpcë – Brezovicë – Prevallë, Kaçanik – Glloboçicë dhe Kaçanik – Hani i Elezit.
Në këtë drejtim, Policia Rajonale e Ferizajt rekomandon që shoferët e automjeteve të respektojnë disa këshilla thelbësore për ngasje të sigurt:
– Mbani dritat e ndezura për të përmirësuar dukshmërinë tuaj dhe për t’u bërë më të vërejtshëm për pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
– Zvogëloni shpejtësinë, pasi rrugët e lagështa kërkojnë më shumë distancë për frenim të sigurt.
– Shmangni shpërqendrimet, në veçanti përdorimin e telefonit gjatë ngasjes.
– Mbani distancë të mjaftueshme nga automjetet përpara jush për të shmangur përplasjet.
– Në rrugët malore, tregoni kujdes shtesë ndaj mundësisë së shembjeve të gurëve dhe pengesave të tjera që mund të rrezikojnë qarkullimin.
Policia rikujton se reshjet e shiut nuk duhet të jenë arsye për mungesë kujdesi, por një arsye më shumë për të lëvizur me përgjegjësi.
“Siguria është në duart tuaja,”
Për çdo rast nevoje, incidenti apo aksidenti në trafik, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë në numrin 192, qoftë nga telefonia fikse apo mobile, ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.



