Policia serbe arreston dhjetëra protestues anti-Vuçiq

03 korrik 2025 | 13:36

Policia serbe ka ndaluar 79 persona, përfshirë studentë universitarë, gjatë shpërndarjes së bllokadave rrugore në disa qytete të vendit, në kuadër të protestave të vazhdueshme kundër qeverisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Njësitë e ndërhyrjes së shpejtë ndërhynë mbrëmjen e së mërkurës dhe në orët e para të së enjtes në kryeqytetin Beograd, në qytetin verior Novi Sad, si dhe në qytetet jugore Nish dhe Novi Pazar.

Ministria e Brendshme njoftoi se katër oficerë policie u plagosën dhe një automjet policor u dëmtua, duke theksuar se forcat e rendit “vepruan në përputhje me ligjin”.

Megjithatë, organizatorët e protestave, kryesisht studentë, thanë se policia sulmoi demonstruesit paqësorë, duke shkaktuar plagosje.

Dëshmitarët raportuan për përdorimin e forcës së tepruar, me goditje me shkopinj gome dhe mburoja. Katër studentë përfunduan në spital, njëri prej tyre me klavikul të thyer, raporton AP.

Protestat u intensifikuan pas një mitingu të madh të mbajtur të shtunën në Beograd, ku dhjetëra mijëra qytetarë kërkuan zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Tubimi përfundoi me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Presidenti Vuçiq ka refuzuar thirrjet për zgjedhje të parakohshme, pavarësisht më shumë se tetë muaj protestash të vazhdueshme.

Lëvizja protestuese nisi në nëntor, pas shembjes së një konstruksioni të sapo rinovuar në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, që mori jetën e 16 personave dhe nxiti akuza për neglizhencë dhe korrupsion në projektet shtetërore të infrastrukturës.

Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale janë të parashikuara për vitin 2027. Ndërkohë, Vuçiq ka shtuar presionin ndaj protestave, të cilat i ka përshkruar si “akte terrori” dhe përpjekje për të rrëzuar shtetin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministri i…