
Policia serbe rrah gazetarët e mediave kundërshtare të regjimit të Vuçiqit
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (NUNS) ka dënuar ashpër dhunën policore dhe kërcënimet serioze ndaj gazetarëve dhe redaksive të pavarura në Serbi. Incidenti më i fundit ndodhi mëngjesin e 20 gushtit në Novi Sad, gjatë protestës së qytetarëve para godinës së gjykatës dhe prokurorisë, ku u regjistrua përdorim i tepruar i forcës nga policia ndaj gazetarëve të pranishëm në terren.
Gjatë aksionit policor, gazetarja e televizionit N1, Lea Apro, dhe gazetari i portalit Razglas News, Zharko Bogosavljeviq, u goditën disa herë me mburoja dhe me duar nga ana e forcave të rendit, pavarësisht se kishin shenja të qarta identifikuese dhe legjitimacione gazetareske. Në video-materialet e publikuara, dëgjohet Bogosavljeviq duke bërtitur: “Gazetar jam! Çfarë po bën? Nuk ke të drejtë të godasësh gazetar!”, ndërsa edhe Apro njofton policinë për statusin e saj si gazetare.
Sipas raportimeve të N1, policia nisi shpërndarjen e protestuesve që kishin bllokuar hyrjen e gjykatës dhe gjatë këtij veprimi aplikoi dhunë edhe ndaj gazetarëve që ishin aty për të raportuar në interes publik.
Shoqata e gazetarëve NUNS i ka bërë thirrje edhe një herë Ministrisë së Punëve të Brendshme që të ndalojë sjelljen e paligjshme të forcave policore ndaj gazetarëve dhe të sigurojë kushte për punë të lirë dhe të papenguar të medieve.
“Ky lloj veprimi i policisë ndaj gazetarëve është i papranueshëm dhe i rrezikshëm, sepse drejtpërdrejt rrezikon lirinë e mediave dhe demokracinë në vend”, thuhet në deklaratën e NUNS.
Përveç dhunës fizike, gazetaria kritike në Serbi po përballet me një valë të re kërcënimesh. Një mesazh kërcënues u la në faqen zyrtare të portalit In Medija nga Inxhija, ku autorët shkruanin: “Do t’ju pompoj fëmijët e therur, maskarenj të ndyrë. Do të ketë luftë civile dhe Zoti do e bëjë që duart e mia të jenë të përgjakura.” Dyshohet se e njëjta person ka kërcënuar edhe redaksinë e portalit Maglocistac nga Subotica ditët e mëparshme.
Ndërkohë, edhe gazetari i N1, Mladen Savatoviq, është bërë objekt i kërcënimeve në rrjete sociale. Një koment në faqen e Facebook të N1 nga një përdorues me emrin “Zdravko Simic” ka shkruar: “Do ta rrah këtë gej-in Savatoviq vetëm ta takoj diku.”
Në këtë atmosferë gjithnjë e më të ashpër dhe të rrezikshme për median e lirë, NUNS kërkon reagim urgjent nga Prokuroria për Krime të Teknologjisë së Lartë për të identifikuar dhe ndjekur penalisht autorët e kërcënimeve ndaj portaleve In Medija, Maglocistac dhe gazetarit të N1.
Shoqata thekson se institucionet kompetente duhet të veprojnë shpejt dhe në mënyrë efikase në të gjitha rastet e dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe të japin një sinjal të qartë se dhuna ndaj mediave nuk do të tolerohet. “Çdo përpjekje për të frikësuar gazetarët është sulm ndaj interesit publik dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar. Tolerimi i këtyre praktikave shpie drejt shkatërrimit të sundimit të ligjit”, përfundon deklarata e NUNS.