
Policia tregon për ndryshimet e pozitave që ua bëri zyrtarëve policorë që hetuan aferat e Rozetës, Nagipit e Mujkës
Një zhvillim i pazakontë ka ngritur shqetësime për ndërhyrje politike në strukturat hetimore të Policisë së Kosovës.
Rreshteri Idriz Gashi, një nga hetuesit më aktivë në rastet e korrupsionit të profilit të lartë, është larguar nga Njësia e Veçantë Hetimore vetëm pak ditë para intervistimit të ministres në detyrë të Tregtisë, Rozeta Hajdari, për rastin e Rezervës Shtetërore – një hetim të cilin Gashi e kishte inicuar që në fillim.
Me një vendim të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Gashi është transferuar si mbikëqyrës patrullash në Skënderaj, ndërsa një tjetër hetues i njohur nga e njëjta njësi, Shaip Elshani, është dërguar në Malishevë.
Rreshteri, Idriz Gashi kishte hetuar edhe afera të tjera të njohura korruptive si rasti i Nagip Krasniqit, apo i Faruk Mujkës. Ndërkaq, Elshani, kishte qenë pjesë e ekipës hetimore me numër 6, që drejtohej nga rreshteri Gashi, dhe e njëjta ishte shuar pas ‘reformave’ të fundit të nisura në këtë Njësi, kryesisht pas ndërrimit të pushtetit në Kosovë.
Në një përgjigje për Lajmi.net Policia e Kosovës ka dhënë një deklaratë të përgjithshme, pa përmendur fare rastin konkret duke shtuar se bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe strukturën organizative në vazhdimësi ka bërë dhe bën ndryshime dhe caktime të personelit policorë.
“Referuar kërkesë suaj ju informojmë se, Policia e Kosovës bazuar në autorizimet dhe procedurat e parapara ligjore, strukturën organizative, nevojat policore dhe operacionale si dhe me qëllim të arritjes së objektivave strategjike, në vazhdimësi ka bërë dhe bën ndryshime dhe caktime të personelit policorë”, thuhet në përgjigjen e tyre për lajmi.
Policia në këtë përgjigje nuk tregon nëse transferimi i këtyre dy hetuesve lidhet drejtpërdrejt me rastet që kanë hetuar, veçanërisht rastin e rezervave shtetërore, për të cilin janë ngritur akuza serioze për keqpërdorime.
Ky veprim vjen vetëm disa javë pas përplasjes publike mes ministres Hajdari dhe Prokurorisë Speciale, ku kjo e fundit kishte ndërmarrë veprime hetimore ndaj kontratave të rezervave shtetërore, të klasifikuara në mënyrë të kontestuar si “sekrete”.
Largimi i hetuesve të përfshirë në rastet më të ndjeshme të korrupsionit në vend nuk është rasti i parë. Ndryshimet në strukturën e Njësisë së Veçantë Hetimore kanë nisur menjëherë pas ndërrimit të pushtetit në Kosovë, ku figura kyçe hetuese, përfshirë edhe ish-shefin e njësisë Shemsi Haziri, janë transferuar ose janë përballur me presion politik.
Edhe pse Policia ka arsyetuar lëvizjet me “nevoja operacionale”, ekspertët e drejtësisë këtë veprim e shohin si një përpjekje sistematike për të dobësuar dhe kontrolluar hetimet që prekin zyrtarë të pushtetit aktual.