
Policia u sulmua në veri, Sveçla: Policët e kryen më së miri operacionin, prokurorja e liroi njërin prej sulmuesve
Të dielën paradite është bërë me dije se është sulmuar policia në veri gjatë një aksioni kundër kontrabandës, ku edhe kanë mbetur pesë polic të lënduar.
Rreth kësaj ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke thënë se ai ka nderimin dhe mirënjohjen më të lartë për policët që rrezikojnë edhe jetën për të venë në zbatim ligjet e Kosovës
Ai po ashtu ka thënë se, policia ka qenë në krye të detyrës për sigurimin e rendit dhe luftën ndaj kontrabandës.
“Kam nderimin maksimal dhe mirënjohjen e lartë për policët që rrezikojnë edhe jetën për të vënë në zbatim ligjet e shtetit të Kosovës. Çdo tentim vrasje ndaj tyre duhet ndëshkuar rreptë dhe shpejt, pa asnjë hezitim e me pjesëmarrjen e të gjithë institucioneve sipas rolit e detyrave”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Sveçlës:
Kur organet e rendit ndërmarrin veprime kundër krimit të organizuar, ky veprim duhet të jetë i menduar mirë dhe i vendosur. Krimi i organizuar zhvillohet kur organet e rendit dhe drejtësisë hezitojnë.
Kohët e fundit, policia e Kosovës, në çdo orë të ditës e të natës, ka qenë në krye të detyrës për sigurimin e rendit dhe luftën ndaj kontrabandës. Për ta kryer detyrimin, policëve tanë u duhet të rrezikojnë edhe jetën.
Në rastin e natës së shkuar, pas sulmit të kryer prej kontrabandistëve mbi patrullën e policisë, policët tanë e kryen më së miri operacionin. Të dy kontrabanduesit u ndaluan. Por u desh edhe ndërhyrja e njësisë speciale për kthimin e tyre. 5 nga policët u lënduan dhe dy prej autoveturave të policisë u dëmtuan.
Zyrtarët policor i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen. Edhe pas këmbënguljes së tyre, Prokuria nuk u përgjigj pozitivisht. Ndërkohë, prokurorja e prokurorisë themelore e liroi menjëherë njërin prej kontrabandistëve sulmues të policisë.
Ndaj po shpreh edhe një herë tjetër bindjen time të thellë.
Hezitimi për të vepruar i organeve të drejtësisë, përkthehet automatikisht në fuqizim të kriminelëve dhe rritje të vetëbesimit tek ta.
Duhet të ndodhë e kundërta, organet e drejtësisë duhet të jenë të vendosura dhe krimi të hezitojë. Kriminelët nuk duhet të mendojnë se mund të sulmojnë policinë e pastaj t’ia hedhin paq. Organet e shtetit, të rendit dhe të drejtësisë kanë vetëm një qëllim: ta kthejnë rendin dhe sigurinë në normalitet, por jo sulmin ndaj policisë sonë e as thyerjen e rregullave e ligjeve.
Kam nderimin maksimal dhe mirënjohjen e lartë për policët që rrezikojnë edhe jetën për të vënë në zbatim ligjet e shtetit të Kosovës. Çdo tentim vrasje ndaj tyre duhet ndëshkuar rreptë dhe shpejt, pa asnjë hezitim e me pjesëmarrjen e të gjithë institucioneve sipas rolit e detyrave.