Politikani i njohur dënohet me 10 mijë euro gjobë për nxitje të urrejtjes ndaj emigrantëve

17 janar 2022 | 15:40

Kandidati presidencial i ekstremit të djathtë në Francë, Eric Zemmour, u dënua të hënën me 10 mijë euro gjobë për nxitje të urrejtjes dhe abuzimit racor.

Zemmour, 63 vjeç, i përshkroi fëmijët emigrantë të pashoqëruar si “hajdutë”, “vrasës” dhe “përdhunues” gjatë një programi të shtatorit 2020 në kanalin televiziv CNews, në të cilin ai ishte i ftuar si ekspert.

“Ata nuk kanë çfarë të bëjnë këtu, janë hajdutë, janë vrasës, janë përdhunues, kaq janë, duhet të kthehen dhe të mos vijnën më. Është një pushtim i përhershëm” dhe “një problem i politikës së imigracionit”.

Ai nuk mori pjesë në gjyqin në nëntor dhe nuk ishte i pranishëm as gjatë komunikimit të vendimit.

Zemmour e konsideroi vendimin si “një dënim ideologjik dhe marrëzi” dhe njoftoi se do të apelojë.

Prokurorët kishin kërkuar që ai të gjobitet me 100 euro dita për 100 ditë, në total 10,000 euro, ose të dërgohet në burg nëse nuk paguan.

Një përfaqësues i zyrës së prokurorit publik kishte thënë se komentet e Zemmour ishin “përçmuese, skandaloze”, tregonin “refuzim të dhunshëm” dhe “urrejtje” të popullsisë emigrante dhe kishin kaluar “kufijtë e lirisë së shprehjes”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi i Futbollit, Ulpiana ka njoftuar se ka nënshkruar me…