Polonia ngre aeroplanët në ajër pas sulmeve intensive ruse në perëndim të Ukrainës

05 tetor 2025 | 14:18

Pesë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur pa energji në Ukrainë, pas sulmeve intensive ruse me dronë dhe raketa përgjatë natës, ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ushtria polake ka konfirmuar se i ka ngritur aeroplanët luftarakë në ajër për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore të Polonisë, që gjendet në kufi me Ukrainën.

Sipas njoftimit të ushtrisë, janë angazhuar edhe aeroplanë të aleatëve të NATO-s.

Katër anëtarë të njërës familje, përfshirë një vajzë 15-vjeçare, janë vrarë nga një sulm në fshatin Lapaivka, pasi sulmet kanë mbërritur deri në qytetin perëndimor të Lvivit.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se ka kryer me sukses sulm “masiv” në shënjestrat ushtarake dhe infrastrukturore të Ukrainës.

Një person ka vdekur në Zaporizhja. Zelensky ka thënë se Rusia i ka nisur mbi 50 raketa dhe 500 dronë.

Në Lviv janë regjistruar sulme disa orë, çka ka rezultuar me pezullim të shërbimeve të transportit publik dhe ndalje të furnizimeve me energji.

Sipas Zelenskyt, natën e mbrëmshme janë regjistruar sulme edhe në rajone tjera, përfshirë Ivano-Frankivskun, Çernihivin, Sumin, Harkivin, Hersonin dhe Odesën.

“Neve na duhet më shumë mbrojtje dhe zbatim më i shpejtë i të gjitha marrëveshjeve për mbrojtje, sidomos për mbrojtje ajrore, për të privuar këtë terror ajror në çdo mënyrë”.

“Një armëpushim unilateral në qiej është i mundshëm, dhe është saktësisht ajo çka do të mund të hapte rrugën për diplomaci të vërtetë”, ka deklaruar ai.

Sulmi ka ndodhur në një kohë kur perspektiva për paqe duket më e largët se kurrë, ndonëse lufta gati shënon katër vjet prej nisjes.

Përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund luftës kanë treguar pak rezultat, pasi pozicionet e Ukrainës dhe Rusisë janë shumë të ndryshme.

Presidenti amerikan, Donald Trump nuk ka arritur deri më tani që të organizojë një samit trepalësh apo një takim ballë për ballë mes presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës, pasi Moska synon t’iu shmanget takimeve direkte.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mason Mount ka shënuar në fitoren e Manchester United ndaj…