“Populli i pandalur” i Agim Vincës

01 gusht 2025 | 08:45

Ibush Vishi

(Mbresë jo vetëm nga përurimi i librit…)

U tha e sa u shkrua përsëri për librin publicistik “Populli i pandalur” të Prof. Dr. Agim Vincës, tani i ribotuar në Shkup dhe i përurar në Strugë – të shtunën e 26 korrikut ’25 – në ditën që, si nga anembanë shqiptarisë, edhe nga shumë qytete e fshatra të Kosovës pushtuam miqësisht vendlindjen e profesorit tonë Vinca.

E vërteta, vepra “Populli i pandalur” qe botuar para 33 vjetësh, më 1992, që përkon me gjysmën e jetës sime të deritashme, por që atëherë e sot na pati shkaktuar e na shkakton plotësisht të njëjtin përjetim, – veçse edhe me dallimin diametralisht të kundërt: nën kujtesën se atëherë ishim robër, dhe kënaqësisë se tani jemi të lirë, – përjetim i një arti autentik të reagimit dhe veprimit intelektual akademik kundër padrejtësisë dhe shtypjes nga okupatori.

Dhe, natyrisht, kujtesa na çon në fundshekullin e kaluar, që, me gjithë trysninë robëruese eksponenciale ndaj shqiptarëve, përkundrazi shënoi vitet kur populli ynë nën Jugosllavinë e atëhershme bindshëm i ishte kthyer njësisë së vet, duke bashkërenduar forcat atdhetare – revolucionare, politike, intelektuale e gjithëpopullore – si mënyrë të vetme në rrugën e lirisë.

Elita intelektuale, ndërkaq, në spikamë më tepër se sa një mentore e procesit të lirisë, gjithnjë e më shumë po dëshmohej me vepra, jo vetëm në këndin institucional, por edhe në frontin intelektual – akademik dhe të ballafaqimit të drejtëpërdrejtë me regjimin pushtues, i cili sanksiononte edhe me masat më drakonike.

Edhe ribotimi i veprës “Populli i pandalur” na rikthen në ato kujtime sa të hidhura, po aq edhe të admirueshme për guximin dhe rezistencën që ushtrohej, më në fund edhe deri të lufta çlirimtare, si e domosdoshme për fitoren e lirisë…

Dhe, sado që në cilindo front nuk ishte lehtë të dëshmoje protagonizmin, populli megjithatë nxirrte bijtë e vet tribunë, të cilët do të zhvillonin me dinjitet edhe betejën dhe luftën e tyre intelektuale. Kështu, atëbotë Rexhep Qosja botoi librin me peshë historike, me titullin tronditës – “Populli i ndaluar” (1990) ; ndërsa Agim Vinca botoi veprën, po ashtu kuptimplotë, “Populli i pandalur” (1992).

Dy emra të së njëjtës orë të historisë!

Në të parë, libra si një antitezë “i ndaluar” – “i pandalur”, a si një përballje titujsh, por që në të vërtetë ishin si dy pamje të së njëjtës dramë kombëtare, si një binom i pasqyrimit të gjendjes dhe veprimit kundër asaj gjendjeje, si dy reagime intensive përgjatë dramës së ndalimit dhe mosndaljes në rrugën e lirisë.

Prandaj ribotimi i librit “Populli i pandalur” i Agim Vincës na dha shkas për rikthimin e kujtesës edhe në botimin e parë, si një riaktualizim i një qëndrimi historik, etik, po edhe estetik, që edhe do të vazhdojë: qoftë si dëshmi e kohës, qoftë si porosi për të ardhmen – pa harruar se nuk u ndalëm edhe mu pse ishim të ndaluar. Sikundër që as duhet të ndalemi… Se pse, siç tha edhe autori, duke arsyetuar edhe ribotimin, ende ka çështje të pambyllura politike e etnike të shqiptarëve, sidomos në Maqedoni… E që mbase edhe për këtë libri u ribotua pa ndryshime?!

Se, fundja, edhe ne jemi si çdo popull që në kuadër të botës së qytetëruar aspiron lirinë në hapësirën e vet.

Për rëndësinë e pamohueshme të librit e të autorit, – përgjatë kohës së shkuar e për të ardhmen, – folën njëzëri të gjithë vlerësuesit në takimin përurues, ndërkohë që plot nga ne tutje komentuam shkëlqimin e përbashkët të të dy krijuesve, përkatësisht: Rexhep Qosjes e Agim Vincës dhe veprave të veçanta të tyre – “Populli i ndaluar” e “Populli i pandalur”…

Si dy emra të së njëjtës orë të historisë dhe dy vepra si dy kambana kushtrimtare ndërgjegjes kombëtare e njerëzore!

(Portret i profesor Agim Vincës, maturant,  Strugë, 1966, autor Sezair Qyra).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës kanë dalë…