Popullsia e BE-së arrin mbi 450 milionë banorë, falë migrimit

11 korrik 2025 | 22:45

Popullsia e Bashkimit Evropian ka arritur një rekord të ri historik prej mbi 450 milionë banorësh, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat.

Shtesa më e madhe në numrin e banorëve vjen si pasojë e migrimit, duke kompensuar kështu rënien natyrore të popullsisë që po vazhdon prej më shumë se një dekade.

Sipas statistikave, në vitin 2024, BE-ja ka shtuar 1.07 milionë qytetarë të rinj, ndërkohë që u regjistruan 2.3 milionë më shumë migrantë sesa persona që u larguan nga blloku. Kjo shifër ka mjaftuar për të balancuar humbjen natyrore të popullsisë prej 1.3 milionë vetash, si pasojë e numrit më të madh të vdekjeve (4.82 milionë) krahasuar me lindjet (3.56 milionë).

Eurostat thekson se kjo rritje është e lidhur kryesisht me lëvizjet e shtuarat të njerëzve pas kufizimeve të pandemisë COVID-19, duke e bërë migracionin faktor kyç në mbajtjen e numrave të qëndrueshëm të popullsisë në kontinent.

Ndërkohë që disa vende si Franca, Gjermania dhe Italia vazhdojnë të jenë vendbanimi për gati gjysmën e popullsisë së BE-së, trende të ndryshme janë vërejtur në nivel kombëtar. Malta ka shënuar rritjen më të madhe me 19 për 1,000 banorë, pasuar nga Irlanda dhe Luksemburgu. Në të kundërt, Letonia, Hungaria, Polonia dhe Estonia kanë raportuar rënie të dukshme të popullsisë.

Këto zhvillime nënvizojnë sfidat demografike me të cilat po përballet kontinenti, përfshirë plakjen e popullsisë dhe mungesën në rritje të fuqisë punëtore, çka pritet të ketë ndikim të thellë në sistemet sociale dhe ekonomike të shteteve anëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
LETËR PËRSHËNDETËSE Nga Valon Murati Prishtinë, 11 korrik 2025 -…