
Popullsia në Greqi drejt plakjes, Mitsotakis njofton paketën e re prej 1.6 miliard eurosh
Greqia ka njoftuar masa drastike përfshirë shkurtim të taksave dhe iniciativa të tjera financiare për t’iu përgjigjur plakjes së popullsisë që po kthehet në më të moshuarën në Evropë.
Kryeministri ka thënë se paketa e ndihmave prej 1.6 miliard eurosh ka ardhur prej një prej sfidave më të mëdha të vendit: një krizë demografike e një shkalle të paprecedentë, raporton “The Guardian”.
“Ne e dimë se kostoja e jetesës është një gjë nëse nuk ke fëmijë dhe një gjë tjetër kur ke dy apo tre. Kështu që si shtet, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të shëprblyer qytetarët tanë që zgjedhin të bëjnë fëmijë”, ka thënë Kyriakos Mitsotakis të dielën pas njoftimit.
Masat, të cilat variojnë në një lehtësim prej 2 për qind për të gjitha taksat e deri në zero për familjet me të ardhura të ulëta dhe katër fëmijë, do të nisin të aplikohen në vitin 2026.
Mitsotakis e ka quajtur paketën reformën më të fortë të taksave të vendosur në Greqi për më shumë se 50 vjet.
Politikat i shtohen iniciativave të tjera të qeverisë për të zgjidhur problemin.
Lindshmëria në Greqi është ndër më të ulëtat në Evropë, 1.4 fëmijë për grua kur duhet të jetë 2.1 ndaj Mitsotakis e quan problemin “kërcënim kombëtar”.
Popullsia greke është në rrugën që të bjerë nga 10.2 milionë banorë nën 8 milionë në vitet 2050, kur 36 për qind e saj do të jetë mbi moshën 65-vjeçare, sipas “Eurostat”.
Duke pranuar se plakja ka marrë përmasa ekzistenciale, ministri i Financave, Kyriakos Pierrakakis, ka thënë se lindshmëria është përgjysmuar që në fillim të krizës ekonomike që kaploi vendin 15 vite më parë.
“Reforma e taksimit do t’i japë rëndësi këtij problemi… si kreu i ekipit ekonomik, do të thosha që prioriteti ynë kryesor është problemi demografik”, ka thënë ai.
Kriza në Greqi është fajësuar si shkaktare për rënien e lindshmërisë. Kjo për shkak se të rinjtë u prekën më fort nga masat shtrënguese që u kërkuan në këmbim të fondeve ndërkombëtare të ndihmës të cilat penguan falimentimin e Athinës.
Mbi 500 mijë grekë janë larguar nga vendi në kërkim të punës, një eksod i të rinjve që tani qeveria po përpiqet ta zhbëjë.
Masat e reja, të cilat përfshijnë heqjen e taksave për ata që jetojnë në zona rurale me më pak se 1 500 banorë, do të financohen me paratë nga teprica fiskale.
Zyrtarët kanë thënë se lindshmëria po cenon sistemet e pensionit dhe shëndetësisë, tregut të punës dhe sigurisë kombëtare.
Mitsotakis po përballet me kritika për korrupsion në qeverinë e tij dhe koston e nivelit të jetesës, ndaj premtoi të rriste pensionet dhe ta bënte strehimin të përballueshëm duke ndërtuar banesa në zona të braktisura ushtarake.
Nga ana tjetër, këtë muaj në Greqi janë mbyllur 700 shkolla për shkak të mungesës së nxënësve.