PORTRET PËR MIKUN E MOTSHËM (Ramadan Thaçi 1959 – 2022)

22 qershor 2023 | 11:57

Shkruan: Begzad Baliu

Ramadan Thaçi u lind në Smallushë, Komuna e Lipjanit. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Gjimnazin matematikor shkencor në Lipjan. I përkushtuar në dy fusha interdisiplinare, drejtësi dhe letërsi, studimet universitare i kreu paralelisht në dy fakultetet  e Universitetit të Prishtinës: në Fakultetin Juridik dhe më Fakultetin Filologjik, ndërsa studimet pasdiplomike i vazhdoi vetëm në fushë të drejtësisë.

Ramadan Thapi i takonte gjeneratës së Vitit të Madh 1981, prandaj nuk është e rastit që pasionet e tij për letërsinë dhe përkushtimin e sakrificën e brezit të tij për Republikën e Kosovës dhe për Bashkim Kombëtar i bëri pasion të tij jetësor dhe krijues, duke punuar pareshtur në tri rrafshe: në letërsinë si pasion personal, publicistikën si mision shoqëror dhe drejtësinë si obligim kombëtar e profesional.

Nga viti 1982 deri më 1985 ishte mësimdhënës i lëndëve juridike dhe lëndës së gjuhës shqipe në Lipjan, kurse deri në fund të jetës së tij punoi në Qeverinë e Kosovës, përkatësisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Prishtinë. Viteve të fundit ishe edhe ligjërues i disa lëndëve juridike në Universitete dhe Kolegje Private në Prishtinë, Gjakovë dhe Prizren.

Krijimtarinë letrare, publicistike e diturake e filloi ashtu sikur e ka nisur pothuajse i gjithë brezi i tij, me poezinë. Ashtu si edhe me titullin edhe me temat e trajtuara në veprën e parë me poezi Grindja e viteve (1980), si edhe me dy vëllimet e botuara më vonë Lulet dhe hijet e Buzëmbrëmje, të botuara më vonë, autori ka sjellë motivet e kësaj kohe dhe shqetësimet e këtij brezi. Poezitë e vëllimit të parë dhe dy vëllimeve të botuara më vonë janë shkruar pothuajse në të njëjtën kohë dhe kanë bartur këto tema jo vetëm në vargun poetik po edhe në disa nga prozat e gjata të shkruara në vitet në vijim. Madje, dua të kujtoj këtu, se kur në vitin 2001 përgatitëm bashkë ribotimin e veprës së tij të parë, ai e kishte gati për botim dorëshkrimin Lulet dhe hijet, ndërsa vëllimi me poezi Buzëmbrëmje doli si rezultat tematik i gërshetimit të poezisë dhe prozës së tij, që po formësohej nga teksti lirik i novelave në tekstin epik të romanit.   

Krijimtarinë e tij letrare në gjininë e prozës Ramadan Thaçi e ka filluar pas çlirimit të Kosovës, mbi një dorëshkrim të fundviteve ’70, kur edhe po i ndiqte studimet në Universitetin e Prishtinës. Fjala është për novelën e shkruara në trajtën e një ditari, me titull  Djalëria e një shokut tim, për të vazhduar pastaj me romanin Treni,  i cili merrte për temë gjenocidin serb gjatë luftës së Kosovës dhe përpjekjen policore e ushtarake të Serbisë për bartjen e dhunshme të shqiptarëve në Maqedoni e më tej. Romani qe pritur me interesim edhe në qarqet letrare ndërkombëtare, si dhe qe marrë iniciative për të bërë një skenar filmi në Amerikë, por fati i tij u hesht bashkë me vdekjen e dhimbshme dhe aq të papritur të autorit. Pas këtij romani, miku im i motshëm, Ramadan Thaqi,botoi edhe tri romane me temë fatin e brezit të djemve shqiptarë të viteve ’90 në mërgim: Misioni, Hana dhe Gratë e Napolit, për t’u rikthyer edhe njëherë te tema e vitit të madh, po ashtu në prozë, më titull: Dashuri e vitit 1981.

Në vitet e pasluftës së Kosovës, kur shqiptarët e përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare po bënin përpjekje për shtetndërtimin Republikës së Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj, Ramadan Thaçi nisi një projekt vetjak, të cilin nuk e kishte menduar askush nga ne Brezi i Pavarësisë. Ndonëse nuk punonte në ndonjë institucion përkatës, ai menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, mori nismën për të dërguar letra personale në adresa zyrtare tek personalitetet shtetërore (mbretër, presidentë e kryeqeveritarë të shteteve në gjithë botën për të njohur Kosovën shtet t, pavarur. Me iniciativën tonë, madje edhe me një parathënie përcjellëse, ato më pastaj u botuan në dy vëllim më titull Misioni dhe I dashur President, sepse, unë miku i tij, konsideroja atë kohë, ato më parë se sa letra individuale përfaqësonin dokumente me vlerë ndërkombëtare. Vëllimet e tjera të kësaj natyre nga krijimtaria e autorit, sikur mund të shihet, janë vepra publicistike, shkencore e dokumentare, brenda të cilave hidhet dritë e re në tragjeditë e Rastit të Paraqinit, Vrasjen në burgun e Pozharevcit etj. Le të thuhet edhe në këtë rast se me këto vepra autori përplotësonte diskutimin dhe shndritjen edhe të një temë të madhe posaçërisht tragjike të brezit të tij: vrasjen e ushtarëve shqiptarëve në ushtrinë jugosllave të viteve ‘80. Vëllimi i Ramadan Thaçit me letra dërguar personaliteteve te veçanta të shteteve të botës (presidentëve, kryeministrave a ministrave, njerëzve të diplomacisë, institucioneve, organizatave regjionale etj.), dëshmon se në këtë përpjekje të gjithë atyre që kanë punuar për Pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj, njëri ka qenë i veçantë, si pak të tjerë për të cilët dimë: aviatorin Xhejms Berisha, senatorin Xhozef Diogardi, këngëtaren Rita Ora, biznesmenin Behxhet Pacolli etj. Për ndonjë tjetër, besoj kryesisht nga radhët e diplomatëve të Tiranës nëpër botë, mbase do të mësojmë më vonë, përmes ditarëve të tyre diplomatikë.

Autori i këtij vëllimi është jurist, studiues i prirë për hulumtimin dhe sheshimin e disa prej temave të veçanta të historisë së re në fushë të drejtësisë dhe historisë kombëtare; po edhe poet dhe prozator i kërkimit dhe transponimit artistik të disa prej motiveve materiale e shpirtërore, për të mos thënë rindërtues artistik i disa prej ngjarjeve të mëdha dhe atyre intime të brezit të tij, të lidhura ngushtë me fatin e mbijetesës së popullit të tij në fund të shekullit XX. Sigurisht, kjo është arsyeja pse Letrat e tij ‘diplomatike’, janë shkruar mbi një model të vetëm, kanë një strukturë të përhershme kërkimi, sikur të kishin dalë nga zyrat e diplomacisë shtetërore e përmes një protokolli të përhershëm, janë shkruar sipas një agjende të duhur kohore dhe të arsyeshme, nuk përsërisin njëra tjetrën, përkundrazi ato plotësojnë njëra tjetrën, nuk mërzisin lexuesin, ashtu sikur autori është kujdesur të mos mërzisë administratat e shteteve të cilave u është drejtuar.

Dekadën e fundit të jetës së tij Ramadan Thaçi, përveç punës në Ministrinë e Punëve të Brendshme u angazhua të ligjërojë edhe në disa institucione akademike universitare. I nxitur nga kërkesat e studentëve dhe mjediset akademike ai menjëherë ndërmori iniciativën për përgatitjen e teksteve universitare për nevojat e tyre. I tillë ishte ai në jetë dhe në shoqëri. Kur në Shoqatën e Shkrimtarëve dhe institucionet qeveritare po diskutohej për problemin e të drejtave të autorit në Kosovë dhe shkeljen e saj nga individë, grupe e organizata të interesit, ai mori iniciativën dhe për një kohë jo të gjatë përgatiti veprën E drejta e autorit;  kur në Kosovë, në qarqet diplomatike po diskutohej gjerësisht për mbrojtjen e të drejtave të Kosovës në qarqet ndërkombëtar, ai sakaq përgatiti e botoi veprat: E drejta e Arbitrazhit, E drejta ndërkombëtare për sigurinë, E drejta e regjistrimit civil, Mjetet juridike në drejtësi, Arbitrazhi etj. Po të kësaj natyre dhe të kësaj kërkese e përvoje janë edhe veprat e fundit të tij: Zotësia e veprimit, Dëshmitari në drejtësi, Ekzekutimi i dënimit me burg në Suedi etj.

Le të thuhet në fund se ligjëruesi, publicisti e shkrimtari Ramadan Thaçi pati një jetë të shkëputur dhe të tillë e la edhe veprën, të papërfunduar, sado me ato që botoi ai arriti synimet krijuese, publicistike e shkencore të tij.

Vepra të tjera të lëna në dorëshkrim, sigurisht do të botohen edhe pas vdekjes së tij.

I përjetshëm kujtimi për Ty mik e shoq i mirë, i punëve të mëdha!

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka…