
Portugalia e fitoi Euro U17 në Shqipëri, Duka: Një Evropian që na bëri krenarë
Portugalia ka fituar titullin kampion Evrope U17, për të shtatën herë. Duke e uruar për trofeun, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, thotë se ky event sportiv pati një rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe FShF-në.
Në një postim të tij në rrjetet sociale, Duka falënderon të gjitha ekipet pjesëmarrëse dhe të gjithë ata që u bënë pjesë e organizimit të këtij Evropiani, që u zhvillua nga 11 maji deri më 1 qershor.
“Një Evropian që na bëri krenarë! Evropianit të parë në Shqipëri i erdhi fundi dhe në shtëpinë tonë, në Arenën Kombëtare, ishte Portugalia që ngriti në qiell trofeun dhe festoi titullin kampion Evrope U17 për të shtatën herë. Urime Portugalisë fituese, në një kompeticion ku fituam shumë edhe NE, si Federatë duke shtuar në portofolin tonë të organizimeve një tjetër event ndërkombëtar, si shqiptarë që shijuam një Evropian fantastik me ndeshje mjaft të bukura, si ekip që fitoi eksperiencë me të parën pjesëmarrjeje në një nivel të tillë”, ka thënë presidenti i FShF-së.
Faleminderit të gjitha ekipeve pjesëmarrëse – Portugalisë kampione, Kombëtares sonë, Francës, Italisë, Belgjikës, Gjermanisë, Anglisë, Çekisë – për atë që dhanë në fushë. Faleminderit të gjithë atyre që ishin pjesë e organizimit të këtij Evropiani në prapaskenë, punonjësit e Federatës së Futbollit, bashkëpunëtorët tanë në Elbasan, Durrës e Rrogozhinë, Bashkitë e këtyre qyteteve, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe çdo institucion shtetëror që ishte bashkë me ne për ta bërë këtë Evropian të paharrueshëm. Faleminderit të gjithë tifozëve, që iu përgjigjen ftesës tonë për të qenë pjesë e një eventi që ofroi emocione e gola të bukur, nga ndeshja e parë tek e fundit. Portugalia e nisi me fitore në “Arenën Kombëtare” dhe e mbylli në të njëjtën mënyrë, duke merituar gjithçka! Urime!”, ka shtuar Duka.