Portugezët në ankth për Ronaldon
Portugalia po pret me ankth për të mësuar nëse Cristiano Ronaldo do të rikthehet apo jo në listën e kombëtares.
Vendimi do të bëhet i ditur së shpejti nga trajneri Roberto Martinez, i cili pritet ta shpallë të premten, më 20 mars, listën e lojtarëve të grumbulluar, shkruan “Mundo Deportivo”.
Ndërkohë, trajneri i Al‑Nassr, Jorge Jesus, ka dhënë disa sinjale për situatën e yllit portugez.
Sipas tij, klubi saudit do të preferonte që sulmuesi të mos udhëtojë menjëherë me Kombëtaren portugeze për shkak të gjendjes fizike dhe programit të ndeshjeve me Al-Nassr.
Megjithatë, disa media arabe raportojnë se Ronaldo pritet të bashkohet me përfaqësuesen portugeze, gjë që do të qartësohet vetëm pasi të publikohet lista zyrtare e trajnerit Martinez.
Sulmuesi 41-vjeçar po rikuperohet nga një dëmtim muskulor i pësuar në fund të shkurtit, i cili e ka mbajtur jashtë fushave në ndeshjet e fundit, ndërsa po punon intensivisht për t’u rikthyer sa më shpejt në formë.
Në Portugali, vëmendja është e madhe për ta parë nëse kapiteni historik i kombëtares do të jetë pjesë e grumbullimit të ardhshëm, duke qenë se ai mbetet lojtari me më shumë ndeshje dhe gola në historinë e Portugalisë.



