Posta e Kosovës dhe Posta Shqiptare forcojnë bashkëpunimin strategjik

27 nëntor 2025 | 22:03

Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, priti delegacionin e Postës Shqiptare, të kryesuar nga Administratori i Përgjithshëm, Etjen Xhafaj, për të diskutuar fuqizimin e bashkëpunimit strategjik dhe identifikimin e fushave me potencial të lartë zhvillimor.

Posta e Kosovës njofton se takimi u përqendrua në shkëmbimin e ekspertizës, zhvillimin e projekteve të integruara, shërbimet financiare dhe platformat e e-commerce, duke synuar ofrimin e shërbimeve të reja dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

Rraci ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Postën Shqiptare, duke nënvizuar se ky bashkëpunim është një mundësi për të avancuar arritjet e Postës së Kosovës, për të fuqizuar kapacitetet operacionale dhe për të pozicionuar institucionin si modern dhe të besueshëm. Ajo shtoi se bashkëpunimi mbi bazën e komplementaritetit mund të sjellë vlera të drejtpërdrejta për qytetarët dhe të zhvillojë shërbime të reja që përputhen me trendet e tregut.

Administratori i Postës Shqiptare, Xhafaj, është shprehur se qëllimi është të zhvillohen projekte të përbashkëta që rrisin cilësinë e shërbimeve për qytetarët në të dy vendet dhe të krijojnë standarde të reja në tregun postar dhe atë të e-commerce. Ai shtoi se bashkëpunimi i thelluar mund të shërbejë si model për avancimin e sektorit postar në rajon.

Takimi përfundoi me shkëmbimin e dhuratave simbolike mes delegacioneve, si shenjë respekti dhe vlerësimi i bashkëpunimit të vazhdueshëm midis dy institucioneve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekspertja energjetike, Janina Ymeri sonte në emisionin “Rubikon” në Klan…