Posta e Kosovës lanson pullë postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së ShBA-së
Posta e Kosovës ka organizuar ceremoninë e lansimit të emisionit të pullave postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ceremonia është mbajtur në objektin qendror të Postës së Kosovës në Prishtinë, në praninë e përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës, Ambasadës së ShBA-së në Kosovë dhe mysafirëve të tjerë.
Kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, ka theksuar se një pullë postare është shumë më tepër sesa një element filatelik.
“Për Postën e Kosovës, një pullë postare nuk është vetëm një element filatelik, por histori në miniaturë. Është një mesazh që udhëton në kohë, lidh njerëz e popuj dhe ruan ngjarjet e vlerat që meritojnë të kujtohen brez pas brezi. Pullat postare janë ndër format më autentike të ruajtjes së kujtesës historike dhe promovimit të identitetit shtetëror në arenën ndërkombëtare. Edhe në një kohë transformimesh të mëdha teknologjike, Posta e Kosovës vazhdon ta ruajë me krenari traditën filatelike dhe njëkohësisht të ofrojë shërbim universal postar të qasshëm për çdo qytetar. Ky është misioni ynë: të mbetemi urë komunikimi, besimi dhe lidhjeje njerëzore”, ka deklaruar Rraci.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar pullën postare si simbol të miqësisë dhe partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai ka theksuar se, përveç shënimit të jubileut amerikan, kjo pullë përfaqëson afirmimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe vlerësimin për mbështetjen vendimtare që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në proceset shtetndërtuese, konsolidimin e institucioneve demokratike, sigurinë dhe zhvillimin e vendit.
“Përtej kësaj date të rëndësishme, kjo pullë shërben si afirmim simbolik i partneritetit të fortë dhe marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona. Mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën ka qenë vendimtare në proceset tona shtetformuese dhe në konsolidimin e institucioneve demokratike. Kjo përkrahje vazhdon të luajë një rol jetik në sigurinë dhe zhvillimin e vendit tonë. Kur pasardhësit tanë ta festojnë më 4 korrik 2076 përvjetorin e 300-të të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ne mbase nuk do të jemi më, e ndoshta as pullat postare nuk do të jenë. Por një gjë është e sigurt: aleanca dhe partneriteti ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jetojnë, po aq të forta dhe të qëndrueshme sa janë edhe sot”, ka deklaruar Kurti.
Në emër të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë, zëvendësshefja e misionit, Anu Prattipati, ka falënderuar Postën e Kosovës për këtë nismë, duke e cilësuar atë një nder për popullin amerikan.
“Pranimi i kësaj pulle nga Kosova përbën një nder për ne. Çdo pullë përcjell një histori të lirisë dhe miqësisë mes nesh. Postës së Kosovës dua t’i them se ka krijuar diçka që do të mbetet për shumë vite. Brezat e ardhshëm do ta shohin këtë pullë postare dhe do ta kujtojnë se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar së bashku për lirinë. Teksa Amerika shënon 250-vjetorin e pavarësisë, ne shprehim mirënjohjen tonë për aleatë si Kosova, një shtet që e kupton vlerën e sovranitetit, demokracisë dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm. Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe të popullit amerikan, ju falënderoj për këtë nder dhe për miqësinë tuaj”, ka deklaruar Prattipati.
Ceremonia është organizuar në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.



