Pranon fajësinë i akuzuari për vjedhje të çokollatave në vlerë 38 euro, kërkon dënim sa më të butë

02 dhjetor 2025 | 23:13

Në seancën e mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i pandehuri B.B., ka pranuar fajësinë për vjedhje të çokollatave në vlerë 38 euro.

“E pranoj fajësinë për veprën penale”, deklaroi i akuzuari B.B.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Paulin Pashku, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Prokurori Pashku nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë. Më pas, gjyqtarja e rastit Vabonë Përlaska aprovoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari.

Prokurori kërkoi që me rastin e caktimit të dënimit, si rrethanë lehtësuese të merret pranimi i fajësisë, ndërsa rrethanat rënduese ia lë në diskrecion Gjykatës.

Në anën tjetër, i akuzuari kërkoi dënim sa më të butë.

“Kërkoj nga Gjykata një dënim sa më të butë, e kam pas gjendjen shumë të dobët, jam me dy fëmijë dhe gruan pa strehë, s’kam pas tjetër mundësi”, u shpreh ai.

Shpallja e aktgjykimit do bëhet një ditë tjetër.

Ndryshe, në këtë seancë nuk përfaqësoi kërkush nga pala e dëmtuar, edhe pse sipas Gjykatës, ishin njoftuar për seancën.

Sipas aktakuzës se ngritur më 7 mars 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, B.B., akuzohet se me datën 14 shkurt 2022 në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete apo personin tjetër, në market ka marrë gjëra ushqimore në vlerë prej 38 euro.

Aktakuza thotë se pasi kishte hyrë në market për të blerë gjëra ushqimore, i akuzuari ka marrë dy pako me çokollata prej 34 copë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, pa i paguar ato, me ç’rast të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm material në vlerën e lartcekur.

Me këte, B.B., po akuzohet për kryerjen e vepres penale “Vjedhje” nga neni 313, par. 1, të Kodit Penal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Donald Trump, president i ShBA-së, ka shpërndarë një artikull në…