Prapaskenat e takimit Trump-Putin, pse Moska është kundër Italisë?

09 gusht 2025 | 01:14

Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar kryeministres italiane Giorgia Meloni që të organizojë në Romë një samit me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë.

Megjithatë, propozimi është refuzuar nga Moska, e cila e konsideron Italinë si një vend “shumë të rreshtuar me Kievin”, sipas medias italiane.

Sipas burimeve diplomatike, Trump e telefonoi Melonin të enjten më 7 gusht dhe i propozoi që takimi të zhvillohej në Romë të hënën. Kryeministrja italiane u shpreh menjëherë e gatshme për ta pritur samitin.

Propozimi më pas u bë zyrtar edhe nga senatori amerikan Marco Rubio gjatë një takimi të zhvilluar mes këshilltarëve të sigurisë kombëtare të Italisë, Francës, SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Ukrainës dhe Finlandës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e mbështeti menjëherë nismën dhe e konsideroi “shumë të favorshme”. Por reagimi i Rusisë ishte i menjëhershëm dhe negativ: Moska kundërshton idenë për zhvillimin e një takimi në Itali, pasi e konsideron Romën si një palë jo të paanshme dhe të pozicionuar qartazi në krah të Ukrainës.

Ky nuk është i vetmi pengesë. Vladimir Putin është zyrtarisht i kërkuar me një urdhër arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte, çka e komplikon më tej organizimin e një takimi në territorin e vendeve që njohin këtë gjykatë – siç është Italia.

Në këtë kontekst, presidenti rus ka sugjeruar alternativa të tjera. “Kemi shumë miq që janë të gatshëm të ndihmojnë për të organizuar takime të tilla. Njëri prej tyre është presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, i cili është për vizitë në Rusi. Mendoj se do të marrim një vendim, por Emiratet janë një nga vendet më të përshtatshme,” deklaroi Putin.

Megjithatë, një tjetër opsion ende në tryezë është Vatikani. Edhe pse mundësia për një takim Trump-Putin brenda Shtetit të Shenjtë nuk është konfirmuar zyrtarisht, ajo mbetet e hapur. Një burim në Selinë e Shenjtë u shpreh: “Disponueshmëria ekziston dhe vazhdon. Pastaj, do të shohim…”.

Selia e Shenjtë ka shfaqur në mënyrë të përsëritur gatishmërinë për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për konfliktin në Ukrainë. Më 14 maj, vetëm gjashtë ditë pas zgjedhjes së tij, Papa Leone XIV theksoi se “armiqtë duhet të takohen dhe t’i shikojnë njëri-tjetrit në sy… Popujt duan paqe dhe unë, me zemrën në dorë, u them udhëheqësve: të takohemi, të dialogojmë, të negociojmë! Lufta nuk është kurrë e pashmangshme, armët mund dhe duhet të heshtin.”

Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, vazhdon të luajë një rol aktiv në përpjekjet për paqe, dhe kardinali Matteo Zuppi është konfirmuar si i dërguar për misionet e paqes. Kontakti me palët ndërluftuese nuk është ndërprerë asnjëherë, sipas burimeve nga Vatikani.

Përmes ndërmjetësimit të Selisë së Shenjtë janë realizuar kthime fëmijësh ukrainas dhe shkëmbime të të burgosurve. Më 4 qershor, Papa amerikan foli përmes telefonit me Putinin, duke i kërkuar “një gjest që të ndihmojë paqen” – një hap i rëndësishëm, pasi paraardhësi i tij nuk kishte arritur të bisedonte me liderin rus që nga nisja e luftës.

Vatikani është gjithashtu i hapur për të pritur negociata paqeje, edhe pse zakonisht nuk i publikon këto iniciativa. Kujtojmë se më 17 dhjetor 2014, presidenti amerikan Barack Obama dhe ai kuban Raúl Castro njoftuan tejkalimin e embargos, pas takimeve sekrete të mbajtura më parë pikërisht në Vatikan.

Edhe në këtë rast, nëse ndonjë samit mes Trump dhe Putin do të zhvillohet në Selinë e Shenjtë, ka shumë gjasa që kjo të mos bëhet e ditur publikisht nga Vatikani. Ajo që mbetet e qartë është se dyert e tij janë të hapura.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka…