
Prapë sulmohet Moska, publikohen pamjet e shpërthimit
Një rrokaqiell në Moskë të Rusisë është goditur nga një dron për herë të dytë brenda dy ditësh, deklaroi kryebashkiaku Sergei Sobyanin.
Disa dronë u rrëzuan gjatë natës, tha ai, por një “përfundoi në të njëjtën kullë në kompleksin e ‘Moskva City’” që kishte qenë në cak të dielën, transmeton Telegrafi.
Nuk u raportua për të lënduar nga sulmi i fundit, por vetëm se objekti ishte dëmtuar pak.
Ministria ruse e Mbrojtjes fajësoi Ukrainën për sulmin e fundit. Kievi në shumicën e rasteve nuk komenton mbi këto supozime.
Në një deklaratë të shkurtër, Sobyanin tha se “xhami u shkatërrua mbi 150 metra katrorë” dhe se shërbimet e urgjencës po punonin në vendngjarje.
Pamjet e publikuara në X, tregonin dëmet që kishte pasur ky objekt pasi ishte cak i këtij sulmi. Një video tjetër duket se tregon momentin kur droni fluturon mbi qytet.