Prattipati uron 18-vjetorin: Kosova vazhdon të ndërtojë të ardhme të sigurt
Anu Prattipati, e ngarkuara me punë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka uruar Kosovën me rastin e Ditës së Pavarësisë.
“Këtë vit, ndërsa Kosova shënon 18-vjetorin e pavarësisë dhe Shtetet e Bashkuara festojnë 250-vjetorin e tyre, ne qëndrojmë së bashku teksa Kosova vazhdon të ndërtojë një të ardhme të sigurt dhe të begatë”, ka thënë ajo përmes një mesazhi të publikuar në “Instagram”.
Sipas saj, partneriteti i ShBA-së me Kosovën ka filluar edhe para pavarësisë, në vitin 1996, kur Shtetet e Bashkuara hapën zyrën e tyre të parë në Prishtinë.
“Që atëherë, ne kemi qëndruar pranë Kosovës, duke mbështetur rrugëtimin e saj demokratik, i cili hedh themelet për të ardhmen. Ne presim me padurim zgjerimin e bashkëpunimit tonë në tregti, investime dhe forcimin e lidhjeve të sigurisë, në dobi të të dy vendeve tona. Ne mirëpresim përkushtimin e Kosovës ndaj paqes ndërkombëtare dhe vazhdojmë të inkurajojmë një të ardhme shumetnike dhe demokratike për të gjithë qytetarët e saj”, ka deklaruar ajo.



