
“Prej dy vitesh e ka mbajtur Kosovën nën sanksione”, “Po imiton Vuçiqin”, kritikat që sot PDK ia bëri Kurtit
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës sot kanë adresuar kritika në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se i ka shkaktuar dëme vendit, e ka izoluar atë duke e mbajtur nën sanksione, dhe sipas tyre me vetëdije po jetëson një doktrinë serbe, shkruan Reporteri.net.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, i cili tha se lajmi për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia, është shumë shqetësues dhe se Kosova solidarizohet me Estoninë.
Tahiri ka thënë se Kurti sot ka filluar të shqetësohet për veprimet e Rusisë, “ndërsa Kosovën e ka vendosur vetë në anën e saj”.
Ai ka thënë në të gjithë kontinentin evropian sot vetëm tri shtete janë nën sanksione nga BE dhe SHBA, Kosova, Rusia dhe Bjellorusia.
“Megjithatë, kryeministri i izoluar Kurti sot ka filluar të shqetësohet për veprimet e Rusisë, ndërsa Kosovën e ka vendosur vetë në anën e saj. Albin Kurti, që prej dy vitesh e ka mbajtur Kosovën nën sanksione, sot flet për shkeljet e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka përmendur edhe vendimin e fundit të ShBA’së për pezullim të Dialogut Strategjik të Kosovës.
“600 milionë euro të BE-së kanë mbetur të pashfrytëzuara për shkak të sanksioneve. SHBA ka pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, për shkak të dëmeve që i ka shkaktuar Qeveria Kurti”, ka shkruar ai.
Kurse deputeti tjetër i PDK-së, Artan Behrami, thotë se kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, për dy dekada ka krijuar narracion të rrejshëm për procesin e dialogut në Bruksel.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se se në këtë narracion ai është munduar ta paraqes Serbinë si fituesve të këtij procesi.
Behrami tutje ka shkruar se Kurti tani është duke e imituar sjelljen e Serbisë, shkruan Reporteri.net.
“Tash e dy dekada, Kurti e ka krijuar narracionin e rrejshëm që përfituesja më e madhe e dialogut është Serbia. Ai është i bindur se Serbia ka ‘përfituar’ në dialog duke qenë destruktive! Në këtë mënyrë Kurti e ka skicuar rrugën që do ta rrahë. Një rrugë pa aleatë, një rrugë ndryshe nga ajo që kemi ndjekur në dy dekadat e fundit, bashkërisht me aleatët tanë. Kurti sot imiton Serbinë dhe Vuçiqin. Ai me vetëdije sot po jetëson një doktrinë që fund e krye është doktrinë serbe!”, ka shkruar Behrami. /Reporteri.net./.