
‘Prej nëntë muajsh s’më lejohet ta takoj babain në Hagë’, reagimi prekës i Fahri Fazliut, djalit të Fadil Fazliut
08 gusht 2025
| 11:49
Fahri Fazliu, djali i Fadil Fazliut i cili po mbahet në paraburgim në Hagë nga Dhomat e Specializuara, ka reaguar përmes një postimi emocional në “Facebook”, duke denoncuar si padrejtësi faktin që prej nëntë muajsh nuk i është lejuar të takojë babanë e tij.
Ai e ka quajtur këtë një “mohim brutal të një të drejte njerëzore”, ndërsa ka thënë se “përqafimi ynë s’është rrezik për askënd – heshtja ndaj kësaj padrejtësie, po”
“Babai im është fizikisht pas hekurave, por shpirti i tij është i lirë dhe i pathyeshëm. Ashtu siç nuk kanë mundur t’i robërojnë shpirtërat e idealistëve as regjimet më mizore që kanë sunduar ndonjëherë njerëzimin”, ka shkruar Fahri Fazliu.
Postimi i plotë:
Po bëhen nëntë muaj që nuk e kam parë babain tim, Fadil Fazliu, në Hagë.
Jo për shkak të pamundësisë nga ana ime, por sepse dikush ka vendosur ta mohojë në mënyrë brutale një nga të drejtat më themelore që njeh njeriu – takimin mes një babai dhe birit të tij.
Kjo nuk është drejtësi. Kjo është padrejtësi e kamufluar. Përqafimi ynë s’është rrezik për askënd – heshtja ndaj kësaj padrejtësie, po.
Por ne nuk i ulim sytë. Babai im është fizikisht pas hekurave, por shpirti i tij është i lirë dhe i pathyeshëm. Ashtu siç nuk kanë mundur t’i robërojnë shpirtërat e idealistëve as regjimet më mizore që kanë sunduar ndonjëherë njerëzimin.
Liri dhe drejtësi për çlirimtarët!