
Prekazi konfirmon largimin nga FC Malisheva
Njëri prej mbrojtësve më të mirë të në Kosovë, Arbër Prekazi, ka konfirmuar largimin nga skuadra e Malishevës pas dy sezoneve të mbushura me përkushtim dhe sukses. Në një deklaratë publike, ai ka falënderuar klubin dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe.
“Krenar dhe me kokën lart po largohem nga FC Malisheva, pas dy viteve të mbushura me punë, djersë dhe sakrificë për këtë klub dhe për qytetin e Malishevës. Ishte një periudhë që nuk do ta harroj kurrë – me shumë emocione, suksese personale dhe arritje të përbashkëta. Faleminderit nga zemra bashkëlojtarëve të mi për respektin dhe vëllazërinë, presidentit dhe kryesisë për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Një falënderim i veçantë për ata tifozë që asnjëherë nuk na lan vetëm . Gjithashtu, mirënjohje për punëtorët e klubit, Binak Gashi dhe Shpëtimin – dy figura që gjithmonë na rrinin afër me fanella e zhveshtore të pastër”, ka thënë Prekazi, duke shprehur mirënjohjen e tij të thellë për eksperiencën në klub.
“Gjatë këtyre dy sezoneve arrita të kontribuoj me 4 gola dhe 4 asistime, por mbi të gjitha jam krenar që, së bashku me shokët e skuadrës, hymë në historinë e klubit duke arritur objektivat dhe siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane për dy vite radhazi. Na dhashë Zoti një të ardhme të hairit për të gjithë. Me respekt gjithmonë njëri prej jush ‘Preki’”, ka përfunduar Prekazi.