Presidenca nuk përjashton mundësinë t’i drejtohet Kushtetueses për mandatarin e qeverisë

13 janar 2020 | 16:15

Zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka përjashtuar mundësinë që në kuadër të funksionalizimit të institucioneve t’i parashtrojë ndonjë kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çdo paqartësi kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Në një përgjigje me shkrim për “Kosovapress”, Zyra e presidentit Thaçi ka bërë me dije se do të jenë të obliguar të ndërmarrin çdo hap të nevojshëm për ta përmbushur detyrimin kushtetues të shefit të shtetit.

“Përgjegjësia kushtetuese e presidentit është funksionalizimi i institucioneve. Ai është garantues i funksionimit kushtetues e demokratik dhe është i obliguar të ndërmarr çdo hap të nevojshëm për ta përmbushur këtë detyrim të tij, duke mos përjashtuar edhe kërkesat drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çdo paqartësi kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja”, është thënë në përgjigjen e Zyrës së presidentit Thaçi.

Janë bërë një javë që kur ka qenë takimi konsultativ në mes të fituesit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti dhe presidentit Hashim Thaçi. Ky i fundit përmes një letre i ka kërkuar Kurtit që partia e tij të ofrojë mandatarin për kryeministër. Ndërsa sot, Kurti përmes një letre ka adresuar akuza karshi presidentit, duke e cilësuar si të njëanshëm.

Edhe pas tre muajve që kur kanë përfunduar zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese nuk ka arritur të nënshkruaj marrëveshjen për bashkëqeverisje me LDK-në.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Financave ka njoftuar të hënën se në përputhje…