
Presidenca: Procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit, do të shqyrtohet pas takimeve e konsultave me monitoruesit e konkursit edhe me shoqërinë civile
Zyra e Presidentes më 8 prill e ka pranuar propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit.
Por presidentja Vjosa Osmani akoma nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn për këtë pozitë.
“Presidentja ka vendosur që para se ta marrë vendimin për dekretim ose jo, të konsultohet me monitoruesit e konkursit dhe të shqyrtojë dhe të analizojë në detaje të gjithë dokumentacionin e pranuar”, ka thënë ndër tjera këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina.
“Lidhur me propozimin për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, ju njoftojmë që Zyra e Presidentes të premten, me 8 prill, ka pranuar propozimin nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Duke ditur rëndësinë e këtij procesi, Zyra e Presidentes ka filluar të shqyrtojë dhe analizojë në detaje të gjithë dokumentacionin e pranuar, të gjitha faktet dhe rrethanat që ndërlidhen me këtë proces.
Presidentja është në komunikim me palët e interesit dhe në ditët ne vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi.
Presidentja nënvizon se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil dhe me integritet të plotë për të siguruar që besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë se Shtetit nuk dëmtohet. Po ashtu, Presidentja ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të plotësoj gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë edhe atë të integritetit.
Për veprimet e mëtutjeshme, mediat dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë”, ka thënë Kupina.