
Presidenti Ademi me bashkëpunëtorë bën homazhe tek varri i Vokrrit
Janë bërë shtatë vjet nga ndarja nga jeta e legjendës së Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, një nga figurat më të rëndësishme të historisë së futbollit të Kosovës.
Me këtë rast, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, së bashku me mikun e madh të futbollit kosovar dhe përkrahësin ndërkombëtar të Kosovës, Jerome Champagne, si dhe bashkëpunëtorët Bakir Burri, Ismajl Ajeti, Muharrem Sahiti, Samir Ujkani dhe
Lulzim Berisha, bënë homazhe dhe vendosën buqeta lulesh në varrin e Vokrrit, duke nderuar jetën dhe veprën e tij.
Fadil Vokrri mbetet një simbol i bashkimit, guximit dhe përkushtimit për futbollin e Kosovës. Ai nuk ishte vetëm një futbollist i jashtëzakonshëm, por edhe një lider që e udhëhoqi Kosovën drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA.
Në këtë ditë përkujtimore, kreu i FFK-së dhe miku i legjendës, Champagne theksuan se trashëgimia e Vokrrit jeton përmes çdo suksesi të futbollit kosovar dhe përmes fanellës dardane.